Kosovë-Ura e Gurit në Vushtrri më shumë se 9 harqe, zbulohen dy të reja/
-Ura e Vjetër e Gurit e Vushtrrisë mendohet se është ndërtuar në antikën e vonë dhe gjatë mesjetës, në pjesën veripërendimore të bërthamës së vjetër të qytetit/
PRISHTINË, 22 Shtator 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në qytetin e Vushtrrisë në Kosovë, zbulimi i dy harqeve të reja në Urën e Gurit rrëzon tezat e mëhershme që pretendonin se ajo i ka nëntë harqe.Kështu u vlerësua gjatë një vizite në vend të ngjarjes gërmimeve dhe zbulimit të harqeve te Ura e Gurit, të ministrit kosovar të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, dhe kryetarit të komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku.
Udhëheqësja e gërmimeve, Ardiana Qorraj, iformoi për punën restauruese që po bëhet në këtë monument të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore jo vetëm të Vushtrrisë por të Kosovës. “Në kuadër të restaurimit të urës, si një ndërhyrje emergjente, ka ardhur deri tek zbulimi i harqeve të reja”, u shpreh ajo gjatë vizitës së ministrit dje pasdite
“Është e nevojshme që të ndërhyhet shpejtë në restaurimin e Urës së Gurit, sepse përpos që është një monument në mbrojtje, ai përfaqëson një identitet dhe një histori në vete për Vushtrrinë, por edhe më gjerë”, tha ministri Gashi.
Në 2 Shtator 2013 kam shkruar-raportuar për Agjencinë shtetërore të lajmeve të Shqipërisë: Ura e Vjetër e Gurit e Vushtrrisë mendohet se është ndërtuar në antikën e vonë dhe gjatë mesjetës, në pjesën veripërendimore të bërthamës së vjetër të qytetit. Ajo është e gjatë rreth 135 metra dhe egjerë rreth 6 metra, me 9 harqe që shihen, por tjerat thuhet se janë mbuluar me dhe se sipas gojëdhënave i kishte 12 harqe.
Ura e Gurit gjendet mbi shtratin e thatë të lumit Silnicë, uji i të cilit, për shkak të përbërjes pedologjike e ka ndërruar shtratin e rrjedhës për disa dhjetëra metra në perëndim.
Në faqen zyrtare të komunës theksohet edhe se, Vushtrria ose Vicianumi siç është quajtur përpara sipas emrit të vjetër ilir, është lokalitet antik, që daton qysh nga mesjeta, edhe para Perandorisë Romake, përkatësisht që nga koha e dardanëve.
Monumente të lashtësisë, të kulturës e historisë së qytetit të Vushtrrisë- Vicianumit janë edhe Kalaja, Hamami, shtëpi të vjetra, rrugë me kalldrëme… Nëpër Vushtrri kalon rruga nga kryeqyteti Prishtina për në Mitrovicë, qytetin më të madh verior të Kosovës.