Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 3554

Papa: ta bëjmë botën më njerëzore e më të denjë për fëmijët

$
0
0

1 Papa71 PAPANë Solemnitetin e Lindjes së Zotit, nga Lozha Qendrore e Bazilikës së Vatikanit, Ati i Shenjtë u drejtoi Mesazhin tradicional besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit dhe gjithë atyre, që e ndoqën përmes radios e televizionit, duke dhënë edhe bekimin Urbi et Orbi.

 Të dashur vëllezër e motra, gëzuar Krishtlindjen!

Në Betlehem, nga Virgjëra Mari, lindi Jezusi. Nuk lindi përmes vullnetit njerëzor, ishte dhuratë e dashurisë së Zotit Atë, që aq fort e deshi botën, sa të jepte një të vetmin Birin e vet, që kushdo beson në Të, të mos humbasë, por të ketë jetën e pasosur (Gjn 3,16).

Kjo ngjarje përtërihet sot në Kishën, shtegtare në botë: feja e popullit të krishterë rijeton, në liturgjinë e Krishtlindjes, misterin e Zotit që vjen, që merr natyrën tonë të vdekshme, që bëhet i vogël e i varfër për të na shpëtuar. E kjo na mbush me emocion, sepse tejet e madhe është dashuria e Atit tonë.

Të parët që e panë lavdinë e përvuajtur të Shëlbuesit, pas Marisë e Jozefit, ishin barinjtë e Betlehemit. E njohën shenjën që u dhanë engjëjt dhe e adhuruan Foshnjën. Këta njerëz të përvuajtur, por të pagjumë, janë shembull për besimtarët e çdo kohe që, përballë misterit të Jezusit, nuk shkandullohen nga varfëria e Tij, por, ashtu si Maria, besojnë në fjalën e Zotit dhe e kundrojnë me sy të thjeshtë lumninë e tij. Përballë misterit të Fjalës së mishëruar, të krishterët e çdo vendi shpallin, me fjalët e Shën Gjonit Ungjilltar: “E kundruam lavdinë e Tij, lavdi si e Birit të vetëm, që vjen nga Ati plot me hir e vërtetësi” (1,14).

Sot, ndërsa mbi botën fryjnë erëra lufte e një model zhvillimi tashmë i vjetëruar, vijon të prodhojë degradim njerëzor, shoqëror e ambiental, Krishtlindja na kujton shenjën e Fëmijës, për ta pranuar në fytyrat e fëmijëve, posaçërisht të atyre, për të cilët, ashtu si për Jezusin, “nuk ka vend në bujtinë” (Lk 2,7)

E shikojmë Jezusin në fëmijët e Lindjes së Mesme, që vijojnë të vuajnë për shkak të thellimit të tensioneve ndërmjet izraelitëve e palestinezëve. Në këtë ditë feste i kërkojmë Zotit, në lutje, paqen për Jeruzalemin e për gjithë Tokën Shenjte. Lutemi që ndërmjet palëve të ketë epërsi vullneti për të rifilluar dialogun e të mund të arrihet, më në fund, në një marrëveshje që krijon kushtet për bashkëjetesë ndërmjet dy shteteve brenda kufijve të  konkorduara ndërmjet tyre e të njohura ndërkombëtarisht. Zoti i  mbështetët edhe ata që, në bashkësinë ndërkombëtare, frymëzohen nga vullneti i mirë për ta ndihmuar këtë tokë të martirizuar që të gjejë, pavarësisht nga pengesat e rënda, harmoninë, drejtësinë e sigurinë e pritur prej shumë kohe.

E shikojmë Jezusin në fytyrat e fëmijëve sirianë, të cilëve u duken akoma shenjat e luftës, që e gjakosi këto vite vendin. Uroj që në Siri të rikthehet, më në fund, respektimi i dinjitetit të çdo njeriu, përmes angazhimit të përbashkët për rindërtimin e indit shoqëror, pavarësisht nga përkatësia etnike e fetare.

E shikojmë Krishtin Fëmijë në Irakun, akoma të plagosur e të përçarë nga ndeshjet e këtyre pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit, e në  fëmijët e Jemenit, ku vijon konflikti i harruar nga një pjesë e mirë e botës, me pasoja të rënda humanitare mbi popullsinë, që vuan nga uria e nga përhapja e sëmundjeve.

E shikojmë Jezusin në fëmijët e Afrikës, posaçërisht në ata që vuajnë në Sudanin Jugor, në Somali, në Burundi, në Republikën Demokratike të Kongos, në Republikën Qendrafrikane e në Nigeri.

E shikojmë Jezusin në fëmijët e mbarë botës, atje ku paqja e siguria kërcënohen nga rreziku i tensioneve dhe i konflikteve të reja. Lutemi që në gadishullin korean të kapërcehen kundërvëniet e të thellohet besimi reciprok në dobi të mbarë botës.

Krishtit Fëmijë ia besojmë Venezuelën, që të mund të rifillojë një ballafaqim i qetë ndërmjet anëtarëve të shoqërisë, në dobi të mbarë popullit të dashur venezuelan. E shikojmë Jezusin në fëmijët që, së bashku me familjet e tyre, pësojnë dhunën e konfliktit në Ukrainë, si dhe pasojat e tij të rënda humanitare e lutemi që Zoti t’i japë sa më parë paqen këtij vendi të dashur.

E shikojmë Krishtin Fëmijë në fëmijët, prindërit e të cilëve nuk kanë punë e nuk arrijnë t’u sigurojnë bijve të tyre një ardhmëri të sigurt e të qetë.

E në ata, të cilëve iu rrëmbye fëmijëria, të detyruar, siç janë, të punojnë që në moshë të njomë, ose të  mobilizuar ushtarë nga mercenarë pa skrupuj.

E shikojmë Jezusin në një mori fëmijësh, të detyruar t’i lënë vendet e tyre, të shtegtojnë të vetëm, në kushte çnjerëzore, pre e lehtë e trafikantëve të qenieve njerëzore. Përmes syve të tyre shikojmë dramën e shumë emigrantëve të detyruar, që rrezikojnë deri jetën, për të përballuar udhëtime kapitëse, të cilat nganjëherë përfundojnë në tragjedi. E rishikoj Jezusin në fëmijët, që i takova gjatë shtegtimit tim të fundit në Mianmar e Bangladesh, e uroj që bashkësia ndërkombëtare të vijojë të përpiqet që dinjiteti i pakicave të pranishme në rajon të mbrohet me kujdesin e duhur. Jezusi e njeh mirë dhembjen e mosmikpritjes dhe raskapitjen e njeriut që nuk ka vend ku të mbështesë kokën. Zemra jonë të mos mbyllet, si u mbyllën shtëpitë e Betlehemit!

Të dashur vëllezër e motra,

Edhe ne na tregohet shenja e Krishtlindjes: “një fëmijë i mbështjellë në fasha…”(Lk 2,12). Ashtu si Virgjëra Mari e Shën Jozefi e si barinjtë e Betlehemit, në Krishtin fëmijë, ta pranojmë dashurinë e Zotit të mishëruar për ne e të angazhohemi, me hirin e Tij, ta bëjmë botën tonë më njerëzore, më të denjë për fëmijët e sotëm e të nesërm.

 Papa Natën e Krishtlindjes: në Fëmijën përqafojmë kë nuk ka vend/

Fati i Zotit – fat i njerëzve të kohëve tona, i të dëbuarve nga toka e tyre, i shtegtarëve ngarkuar me shpresa, që gjejnë një derë të hapur në Natën e Betlehemit, kur lind përsëri për ta Shëlbuesi, Krishti Zot” (Lk 2,10-11)

Ky, gëzimi i kësaj nate, që na përket të gjithëve, që duhet ta kremtojmë e ta kumtojmë. Gëzimi me të cilin Zoti,  në mëshirën e tij të pambaruar, përqafoi paganë, mëkatarë e të huaj e na nxit edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë. Ky, edhe thelbi i homelisë së Papës, në Meshën e Natës së Krishtlindjes.

“Maria nxori në dritë djalin e saj të parëlindur, e mbështolli në fasha dhe e vuri mbi grazhd, sepse për ta nuk pati vend në bujtinë” (Lk 2,7). Me këtë shprehje të thjeshtë por të qartë, Luka na çon në zemër të kësaj nate shenjte: Maria e nxori në dritë, Maria na dha Dritën. Një rrëfim i thjeshtë  për të na kredhur në ngjarjen, që e ndryshoi përgjithmonë historinë tonë. Gjithçka në këtë Natë bëhet burim shprese – tha Papa – e në vijim rikujtoi ngjarjen e Betlehemit; dekretin e perandorit, udhëtimin e Marisë e të Jozefit, ngarkuar me shpresë, e njëkohësisht, me paqartësi e rreziqe, tipike për njeriun, që e pret një tokë ku për të nuk ka vend.

“E pikërisht në këtë realitetet ishte sfida – pohoi Papa – Maria na dhuroi Emmanuelin. Birit të Zotit iu desh të lindë në një stallë, sepse të tijtë s’patën vend për të. E atje, në mes të territ të një qyteti, pa skutë as skaj për të huajin që vjen nga larg, në mes të errësirës së një qyteti në lëvizje të plotë, që në këto çaste dukej sikur dëshironte të ndërtonte, duke ia kthyer shpinën tjetrit, pikërisht atje ndizet shkëndija revolucionare e dashurisë së Zotit”.

Në Betlehem u hap një derë për ata, që e kishin humbur tokën, atdheun, ëndrrat; deri për ata, që qenë dorëzuar përballë asfiksisë të jetës së mbyllur.

Në hapat e Marisë e të Jozefit fshihen të gjitha hapat, shikojmë gjurmët e familjeve të tëra, që sot detyrohen të nisen. Të ndahen nga të dashurit, të dëbuar nga toka e tyre. Për disa, kjo nisje është e ngarkuar me shpresë, me ardhmëri; për të tjerë, ka një emër të vetëm: mbijetesë! Shpëtim nga herodët e turnit që, për të imponuar pushtetin e për të shtuar pasuritë, derdhin, pa pikën e problemit, gjak të pafajshëm.

“Maria e Jozefi, për të cilët nuk pati vend, e përqafuan të parët Jezusin, që vjen të na japë të gjithëve dokumentin e qytetarisë – theksoi Françesku – Atë, që në varfërinë e vogëlsinë e tij dëshmon se pushteti dhe liria e vërtetë mbrojnë brishtësinë e më të ligshtit”.

Këtë natë, Ai që nuk pati vend për të lindur, u kumtohet atyre që nuk kanë vend në sofrat e në udhët e qytetit. Barinjve, të parëve. Burra e gra, të cilëve u duhej ndenjur larg. Me frikë. Njerëz që konsideroheshin paganë ndërmjet besimtarëve, mëkatarë ndërmjet të drejtëve, të huaj ndërmjet vendasve. E pikërisht atyre, paganëve, mëkatarëve e të huajve – engjëlli u thotë:

“Mos kini frikë: ja, po ju kumtoj një gëzim të madh, që do të jetë për gjithë popullin: sot, në qytetin e Davidit, lindi për ju Shëlbuesi, Krishti Zot” (Lk 2,10-11)

Ky është gëzimi i kësaj nate, që na përket të gjithëve, që duhet ta kremtojmë e ta kumtojmë. Gëzimi me të cilin Zoti, në mëshirën e tij të pambaruar, përqafoi paganë, mëkatarë e të huaj e na nxit edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë.

Feja e kësaj nate na shtyn ta shikojmë shpesh Zotin në të gjitha situatat, në të cilat kujtojmë se mungon. Ai është pranë nesh në autobus, troket në portat tona. E kjo fe na shtyn t’i hapim rrugën një imagjinate të re, të provojmë pa frikë forma të reja marrëdhëniesh, në të cilat askush nuk duhet ta ndjejë se nuk ka vend mbi këtë tokë. Krishtlindja është kohë për ta shndërruar forcën e frikës, në forcë bamirësie. Bamirësi, që nuk mësohet me padrejtësinë, si të ishte gjë e natyrshme, por ka guximin, ndërmjet  tensioneve e konflikteve, të bëhet “shtëpia e bukës”, toka e mikpritjes. Na e kujtonte këtë Shën Gjon Pali II: “Mos kini frikë! Hapjani, në dy kanatat, portat Krishtit”(Homelia e Meshës së fillimit të Papnisë, 22 tetor 1978).

Në Foshnjën e Betlehemit Zoti vjen të na takojë, për të na bërë protagonistë të jetës, që na rrethon. Ofrohet, që ta marrim ndër krahë, ta ngremë lart e ta përqafojmë. Që në Të të mos kemi frikë të marrim në krahë, të ngremë lart e të rrokim të eturin, të huajin, të zhveshurin, të sëmurin, të burgosurin (krh Mat 25,35-36). “Mos kini frikë!” Hapjani, madje në dy kanatat, portat Krishtit!”. Në këtë Foshnjë, Zoti na fton të  bëhemi mbartës të shpresës, roje  për të gjithë ata, të cilët u shembën nën barrën e dëshpërimit, që lind kur gjen para vetes shumë porta të mbyllura. Në këtë Fëmijë, Zoti na bën protagonistë të mikpritjes së Tij.

“Të prekur thellë në shpirt nga dhurata, Ferishtja e njomë e Betlehemit, t’i lutemi që vaji i Tij të na zgjojë nga indiferenca, t’i hapë sytë tanë për të parë atë që vuan. Dashuria e Tij na zgjoftë nga gjumi e na bëftë  të ndjehemi të ftuar për t’i pranuar të gjithë ata, që vijnë në qytetet tona, në historitë tona, në jetët tona. Dashuria e tij revolucionare na bindtë të ndjehemi të ftuar për të marrë mbi vete shpresat e dhembshurinë e njerëzve tanë”. 

Papa Françesku: Urimi i Krishtlindjes pas Mesazhit Urbi et Orbi/

Ju, të dashur vëllezër e motra, të ardhur nga të katër anët e botës në këtë Shesh, e edhe të gjithë juve që, nga vende të ndryshme, jeni të lidhur përmes radios, televizionit dhe mjeteve të tjera të komunikimit, ju drejtoj urimin tim të përzemërt.

Lindja e Krishtit Shëlbues i përtriftë zemrat, ngjalltë dëshirën për ndërtimin e një ardhmërie më vëllazërore e solidare, ju sjelltë të gjithëve gëzim e shpresë. Gëzuar Krishtlindjen!

Tirane-Durres: Mesazhi i imzot George Frendo për Krishtlindje

1 George Fredo

Birit të Zotit, që u bë njeri për të na shpëtuar e për të na treguar udhën e Qiellit, iu desh duhej të kapërcente të gjitha pengesat, që nuk e linin t’ia arrinte qëllimit. E filloi duke lindur në një grazhd… Vërtet, çka na pengon t’i drejtohemi Zotit, së Mirës së Epërme, është vlera e gabuar që u japim gjërave të kësaj bote, është bindja e marrë dhe qesharake, tepër e përhapur, se lumturia në jetë varet nga pasuritë e jashtme: nderimet, paratë, kënaqësitë. Biri i Zotit vjen në botë për t’i shëruar njerëzit nga gabimet e tyre e për t’u mësuar shkencën e vërtetë që e ndan të mirën nga e keqja. Jezusi, jo vetëm e refuzon lavdinë njerëzore, por shkon drejt skajit të kundërt. E kështu, studion e gjen kalimin më të vobektë për të hyrë në botë; shikon një grazhd e pikërisht andej dëshiron të kalojë. Mbart mbi supe gjithçka shmangin njerëzit, gjithçka prej së cilës frikësohen, gjithçka prej së cilës u vjen ndot, për të na treguar sa të kota e mashtruese i konsideron pasuritë e jetës aktuale: kështu, grazhdi i Tij nuk është më djep i padenjë për Zotin, por një karrocë triumfale, që tërheq pas vetes botën e mposhtur. E për arsye të kësaj fitoreje, na thotë me siguri e plot autoritet: “Guxim, unë e munda botën”. Në këtë drejtim shkon edhe mesazhi i Krishtlindjes i kryeipeshkvit metropolit të Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo.

Mesazhi i imzot Dodë Gjergjit për Krishtlindje1 Imzot GjergjiKosova ka mjaft ç’të festojë këtë vit, së bashku me lindjen e Krishtit. Katedralja e re kushtuar shën Nënë Terezës, për shembull, por edhe një hov i ri për jetën baritore me konsolidimin e emisioneve të Radio Marisë, janë vetëm disa nga elementet e festës. Natyrisht, këto ditë, zemrat e besimtarëve janë mbushur plot me gëzimin e lindjes së Shëlbuesit të botës. E për këtë gëzim flet mesazhi i Krishtlindjes së ipeshkvit të Kosovës, imzot Dodë Gjergjit.

Mesazhi i imzot Rrok Gjonlleshajt për Krishtlindje

1 Gjollesha

Tivari në festë për Krishtlindje, si e gjitha bota e krishterë. Mesha e sivjetme u kremtua në katedralen e re të qytetit, kushtuar Shën Pjetrit. E besimtarëve të shumtë, që e mbushën atë plot, por edhe gjithë të tjerëve në Malin e Zi e kudo ndodhen, u drejtohet mesazhi i galdimit për lindjen e Shëlbuesit të botës dhe urimi i kryeipeshkvit, imzot Rrok Gjonlleshaj.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 3554

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>