-Kryeministri Haradinaj takoi përfaqësuesit e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan/



WASHINGTON, 27 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/*
Përfaqësuesit e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan u zotuan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë në linjë me Kosovën për t’i çuar përpara të gjitha proceset e rëndësishme për vendin që kontribuojnë në të mirën e rajonit dhe më gjerë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës së tij zyrtare ShBA, sot në Washington ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, të udhëhequr nga Kryesuesi Ed Royce dhe anëtarët e Komitetit Eliot Engel, Thomas Suozzi, Dan Donovan, Michael McCaul dhe Joe Willson.
Duke vlerësuar lart marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis Kosovës dhe SHBA-së, Kryeministri Haradinaj shprehu dëshirën që këto raporte të thellohen dhe zgjerohen në vazhdimësi.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe institucionet e saj shtetërore kanë dhënë shumë për Kosovën në të gjitha periudhat vendimtare për historinë e vendit tonë. Shpreh mirënjohjen e thellë për gjithë ndihmën e pashoq të tyre. Populli ynë është përjetë falënderues për angazhimin tuaj për ta çliruar Kosovën dhe për ta ndërtuar atë”, tha Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj pasi njoftoi përfaqësuesit e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan për të gjitha të arriturat në vend, kërkoi nga ata që të vazhdojnë ndihmën dhe mbështetjen për Kosovën, në konsolidimin e jashtëm dhe në sjelljen e investimeve të huaja direkte në vend./b.j/(per me shume fotografi nga takimet shkoni ne facebook(dielli vatra)