Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 3554

16 JANAR 1986, VËLLEZËRIT LUC & GJEK GJONLEKAJ DHE DIELLI

$
0
0

DIELLI, 110 VJET- Veçojmë nga Historia e Diellit/

1 a Gjeka e Luca.JPG

16 JANAR 1986, VËLLEZËRIT LUC DHE GJEK GJONLEKAJ NISËN TË PAGUANIN SHPENZIMET PËR BOTIMIN E DIELLIT PËR 6 MUAJ/

* Nga 16 Janari deri në 1 Korrik vëllezërit Luc dhe Gjek Gjonlekaj paguan shpenzimet për botimin e gazetës “Dielli”, duke e botuar me 8 faqe dy herë në muaj./

*Xhecat Kallajxhi: Për 6 muaj Luc dhe Gjek Gjonlekaj paguan për çdo numër 950 dollarë dhe për 6 muaj 11, 400 dollarë.

* Nga 16 Korriku deri me 1 Nëntor Zef Camaj pagoi shpenzimet e Diellit prej 7,600 dollarë.

NGA DALIP GRECA*/

Gazeta ”Dielli” në udhëtimin e saj të gjatë ka hasur shumë pengesa, sidomos financiare. Jo rrallë gazeta është përgjumur, ka pushuar, por nuk është dorëzuar. Dielli nuk i kishte ndodhë më parë që të botohej 3 ose 4 herë në vit siç ndodhi në vitet ’90-2006,pcr tc pushuar nc njc gjum letargjik nga mesi i vitit 2006 deri në gusht 2009, ku nuk doli asnjë numër. Në fakt Dielli shfaqi shenja lodhje që në mesvitet ’80. Konkretisht në vitin 1985, ku editori i tij, Xhevat Kallajxhi, ish gazetar i Zërit të Amerikës, ngriti zërin duke dhënë kushtrimin: Mos e lini Diellin të fiket! Në fakt Kuvendi Vjetor i mbajtur me 5-6 tetor ishte karakterizuar nga një frymë pesimizmi. Reporteri e përshkruan kështu atmosferën: Ky Kuvend u mblodh një muaj me vonesë në restorantin “Pier Four” të Anthony Athanas në Boston, që atë kohë ishte Kryetar Nderi i Vatrës. Kuvendi u hap në orën 11 paradite me një fjalë të shkurtër të kryetarit të asaj kohe, Harry Stoja. Një delegat përfaqësonte 25 anëtarë. Kryetar i Kuvendit u zgjodh Fehmi Kokalari me ndihmës Gjon Kelmendi, ndërsa sekretar Din Derti. Zotërinjtë Fehmi Kokalari, Tonin Mirakaj dhe Xhavat Kallajxhiu, mbajtën nga një fjalë të shkurtër. Të tre fjalimet karakterizoheshin nga një frymë dëshpërimi. Kjo frymë tregonte se punët e Vatrës nuk kishin shkuar fort mirë, për të mos thënë se ishte kohë e vështirë për Vatrën dhe Diellin. Edhe diskutimi i delegatit nga Nju Jorku, z. Agim Karagjozi, përshkohej nga fryma e dëshprimit. Kryetari Stoia e lëshoi postin duke dhënë dorëheqjen. Të njëtën gjë bëri nënkryetari Tonin Mirakaj. Zgjedhjet e Kuvendit votuan ekipin e ri: Paulinë Loukas-Kryetare, Sekretare u zgjodh Florenca Pano(Kirka), ndihmës sekretare u zgjodh Besi Konari, ndërsa arkëtare u rivotua Luiza Anastas.

Problemi i Diellit ishte kryetema e Kuvendit. Pikërisht aty në Kuvend u shfaq bujaria e vëllezërve Gjonlekaj nga Nju Jorku. Gjek Gjonleka u ngrit dhe premtoi se merrte përsipër shpenzimet e Diellit për 6 muaj, duke filluar nga 16 Janari 1986 deri ne 1 Korrik. Gjithësesi pas Kuvendit Dielli doli me 4 faqe, edhe pse kishte materialet e kuvendit për të botuar. Në pjesën më të madhe të vitit 1985 Dielli kiishte dalë me 4 faqe.Vatra  ishte përpjekur që të nxiste përkrahje, por arriti të sigurontë vetëm disa kontributorë Golden Membership dhe asgjë më shumë. Kriza po shtohej. Editori i Dielli, Xhevat Kallajxhiu, një rilindas i vvërtetë, kishte më shumë se 9 vjet në krye të gazetës, vazhdonte të shërbente vullnetarisht, edhe pse e kishte dhënë formalisht dorëheqjen. Madje në numrin e nëntorit ai e përsëriti kërkesën me shkrim në gazetë për një editor të ri, por nuk po gjendej.Viti 1985 kishte qenë vit i mbrapshtë për Diellin. Nga një letër prej një vatrani nga Nju Jork-u, botuar në numrin e Shkurtit 1986, në faqen 7, me titullin ”Dielli arriti përsëri”, mësojmë se gazeta nuk është botuar prej katër muajësh. Vatrani  njujorkez shkruante:

”I dashur z. editor

Në javët e fundit kam marrë njëri pas tjetrit të gjithë numrat e Diellit, që kanë dalë nga 16 qershori e deri më 1 Dhjetor 1985. Dielli nuk kishte dalë për më tepër se katër muaj dhe kjo gjë na kishte dëshpëruar, si mua ashtu edhe shumë të tjerë, që jemi anëtarë të Vatrës dhe pajtimtarë të Diellit…. Gazetën Dielli e presim me gëzim dhe padurim dhe e kërkojmë siç kërkojnë ujin e ftohtë të gjithë ata që udhëtojnë në vapë….”

VËLLEZËRIT GJONLEKAJ MBAJTËN PREMTIMIN QË MORËN NË KUVEND

Shpëtimi i Diellit për atë kohë erdhi nga vëllezërit Gjonlekaj.. .Duke shfletuar koleksionin e gazetës, në numrin e 16 Janarit 1986, e cila është botuar me 8 faqe, gjeta në faqen e parë këtë shënim:” Ky numër botohet me shpenzimet e paguara nga vëllezërit Luc dhe Gjek Gjonlekaj, banues në New York, të cilët kanë marrë gjithashtu përsipër të paguajnë shpenzimet edhe për të gjithë numrat e tjerë të Diellit që do të dalin gjatë gjashtë muajëve të ardhshëm deri më 1 Korrik 1986. Ata e morën këtë angazhim përpara Kuvendit të Vatrës, që u mblodh në Boston me 5 dhe 6 të tetorit që kaloi. Kuvendi çmoi dhe e pranoi këtë inisiativë të tyre. Vëllezërvet Luc dhe Gjek Gjonlekaj u shkojnë lavdërimet dhe përgëzimet e shumë shqiptarëve për këtë gjest patriotik të tyre.”

– Redaksia e Diellit.

Dielli kishte pasë edhe më parë ngërçet e tij dhe kishte dalë prej tyre me angazhim kolektiv, nga pak të gjithë, por këtë herë vinte një inisiativë e veçantë, dy vëllezërit merrnin mbi shpinë të gjitha shpenzimet e shtypshkronjës dhe të shpërndarjes.

Edhe pse pati debate nga të tjerët, vëllezërit Gjonlekaj nuk u tërhoqën nga besa e dhënë. Debatet ishin të kësaj natyre: Vatra vërtetë po jepte alarmin e krizës, por nga ana tjetër në faqet e Diellit botoheshin njoftime për kontribute që shkonin në disa mijëra dollarë. Kështu një letërshkrues nga Springfield, Illinois, i shkruante Diellit: Ndërsa ju bëni fjalë për krizën financiare të Vatrës dhe Diellit, unë lexova në edicionin e 1 qershorit 1985, shpalljen e bërë nga kryetari i Fondit të Vatrës, z. Agim Karagjozi, në të cilën ai boton listën me emrat e atyre që kanë dhënë ndihma për Fondin. Sipas listës deri në atë kohë ishin dhënë ose premtuar $ 41.576.00, sasi kjo që mund të jetë shtuar. Tani pyes: Përse nuk përdoren ndihmat e këtij Fondi për të nxjerrë Vatrën nga kriza dhe për të siguruar vazhdimësinë e botimit të gazetës Dielli?

Editori, Xhevat Kallajxhi, poshtë letrës jep këtë përgjigje: Mbi funksionin dhe qëllimin e Fondit të Vatrës ka dhënë në Dielli shpjegime të hollsishme vetë kryetari i fondit z. Agim Karagjozi. Duket ju u ka shpëtuar nga syri artikulli i z. Karagjozi. Sidoqoftë, duhet të dini, se Fondi permanent i Vatrës nuk mund të preket aspak. Përndryshe, po të prekej ose po të përdorej, brenda dy vjetëve, do të merrte fund, dhe kriza e Vatrës, do të vazhdonte përsëri. Ideja e këtij fondi u shtrua për herë të parë nga  Agim Karagozi dhe qëllimi ka qenë ky: Të hapet një fushatë në krejt shqiptarët e Amerikës, dhe të mblidhen nja  200 mijë dollarë ose më shumë, të cilat të depozitoheshin në bankë dhe nga interesi i tyre, që mund të arrijë nja 20 mijë dollarë në vit, të sigurohet një bazë financiare për Vatrën….

Në këtë mënyrë sqaronte Editori, me nja 20 mijë dollarë interest në vit, dhe me 25 a 30 mijë dollarë anëtarësi dhe pajtimet në Dielli, apo pagesa të reklamave, do të dilte normalisht Dielli dhe do të merrte frymë lirisht Vatra.

Sqarojmë se fondi permanent që u mbrojt me fanatizëm nga z. Karagjozi(sekretar Tonin Mirakaj), u përdor dhjetë vite më vonë për të blerë ndërtesën e Vatrës.

Le të kthemi tek gjesti i vëllezërit Gjonlekaj, që vazhdonin të dërgonin rregullisht çekun tek editori dhe ky e përcillte në shtypshkronjë. Shembulli i dy vëllezërve ngjalli reagime pozitive në Vatër. Herë pas here në Dielli botoheshin letra falenderimi, madje edhe Editorial për buajrinë e tyre.

Në Diellin e 1 Majit 1986 botohej letra e z. Halim Idrizi nga Illinois, ku përgëzoheshin publikisht vëllezërit Gjonlekaj për aktin e tyre patriotik. Letërshkruesi theksonte: Unë nuk i njoh vëllezërit Gjonlekaj  dhe marr me mend se ata mund të mos jenë pasanikë në xhep, por me gjestin e tyre bujar tregojnë se janë pasanikë në zemër dhe kjo ka rëndësi të madhe. Prandaj i përgëzoj vëllezërit Luc dhe Gjek Gjonlekaj dhe, duke shtërnguar dorën, u them: U LUMTË!

Dhe uroj e shpresoj që shembulla e tyre fisnike të pasohet edhe nga të tjerë, sidomos nga ata që janë pasanikë edhe në xhep!

Një letër tjetër u botua në numrin e 16 majit, faqe 7, dërguar prej Floride nga Enver Shapllo. Ai lavdëron me zemër gjestin atdhetar të vëllezërve Gjonlekaj për bujarinë dhe patriotizmin që treguan duke dhënë kontribute të kondisderuara për të mbajtë gjallë Diellin. Gjesti i tyre duhet të inspirojë shqiptarët e tjerë se duhet bërë diçka që barra e gazetës të mos mbetet vetëm në disa njerëzve.

ANDREW D. ELIA: NDIHMA E TYRE VJEN NGA ZEMRA DHE BINDJA

Në të njëjtën gazetë, në faqen 8, botohet edhe shënimi në gjuhën angleze, shoqëruar me fotografinë e dy vëllezërve Gjonlekaj që mbajnë në duar gazetën Dielli, shkruar prej Dr. Andrew D. Elia, ish kryetar i Vatrës, në atë kohë kur shkroi letrën ishte pjesë e bordit këshillimor të Presidentes së Vatrës zonjës Pauline M. Loukas, së bashku me Anthony Athanas, Nick Kreshpani dhe Harry Stoia. Në shënimin e Dr. Elias theksohet se Vatra dhe gazeta e saj Dielli kanë shërbyer dhe kanë mbijetuar gjatë në sajë të bujarisë së anëtarësisë së saj dhe miqëve të saj në të gjithë botën shqiptare. Ai e trajton aktin patriotik të dy vëllezërve Gjonlekaj në përputhje me traditën e së kaluarës. Ata u ngritën në konferencën e fundit vjetore të Vatrës dhe u ofruan të ndihmonin Vatrën e tyre financiarisht duke dhuruar fondet e nevojshme për të botuar Diellin dy herë në muaj për gjashtë muaj. Oferta e tyre u pranua me gëzim. Kjo është hera e parë që bëhet një ofertë e tillë nga dy persona. Vëllezërit Gjonlekaj e kanë mbajtë fjalën e tyre. Ne po u botojmë dhe fotografinë në mënyrë që të gjithë ti shohin dhe të binden për çfarë ata kanë bërë. Ne, shkruan Dr. Elia, nuk e fshehim mirënjohjen tonë për ndjeshmërinë dhe bujarinë e tyre, ata kanë mbajtë premtimin e dhënë. Ajo, që ata thanë, e bënë, dhe gjithçka vjen nga bindja dhe nga zemra. Oferta e tyre nuk ka motive të fshehura dhe na dikton ne, të marrim detyrime të ngjajshme. Për Luc dhe Gjek Gjonlekaj ky është një akt patriotik. Ne i falenderojmë dhe i përgëzojmë ata për këtë projekt të dobishëm.

LETRA E VËLLEZËRVE GJONLEKAJ:QËLLIMI YNË ËSHTË KOMBËTAR

Pas përgëzimit të Dr. Elias, botohet dhe letra e vëllezërve Luc dhe Gjek Gjonlekaj, e kërkuar nga Dr. Elia, ku spjegohen motivet që i nxitën ata të vepronin në këtë mënyrë.

Letra i drejtohet Doktor Elia-s.

 I dashur Dr. Elia

       Ju na kërkuat disa hollësi mbi të shkuarën dhe iniciativën tonë për të ndihmuar Gazetën ”Dielli”.

       Ne u lindëm në Triesh që është një trevë në Malësi të Mbishkodrës afër Bregut të lumit Cem-pushtuar nga jugosllavët. Në fillim të 70-ave imigruam në SHBA. Ç’prej at’herë kemi qenë përkrahës të sinqertë të gazetës ”Dielli”, për të cilën mësuam gjatë shkollimit tonë në vendlindje dhe në Kosovë. Shqiptarët etnikë janë krenarë për veprimtarinë e kësaj gazete, e cila për pothuaj se 80 vjet me radhë jetoi me të mirat dhe të vështirat e popullit tonë të shumëvuajtur.

   Në çerekun e parë të këtij shekulli, Dielli, dhe Vatra, kontrubuan në mënyrë të shkëlqyshme për pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Megjithatë për fatkeqsinë tonë gjysma e tokave arbërore dhe e popullit shqiptar mbetën nën pushtimin jugosllavo-grek. Qëllimi më i shejtë dhe më ideal i racës shqiptare -domethenë bashkimi kombëtar- akoma nuk është realizuar. Ky është dhe do të jetë misioni kryesor i racës shqiptare. Dihet mirfilli se kjo kauzë kaq e shejtë, kërkon sakrifica dhe përpjekje të panumërta.

               Dielli në çerekun e fundit të këtij shekulli duhet të përjetojë një rilindje tjetër, duke i caktuar vetes si mision bashkimin e katër vilajeteve të dikurshme, kauzë kjo për të cilën u krijua në shkurtin e vitit 1909…

          Sot bota ecën përpara me hapa gjigantë dhe po përgatitet për mijëvjeçarin e tretë të mrekullive shkencore dhe teknologjike. Shtimi jashtzakonisht i shpejtë natyror i racës arbërore është një faktor që na bën shumë të lumtur.Numri i shqiptarëve në trojet tona arbërore, tani ka arritur në 6 milionë veta. Tani koha dhe historia është me ne. Kolonitë arbëreshe të Italisë po përjetojnë një rilindje të dytë. Diaspora shqiptare është përgatitur qoftë në pikpamje kulturore dhe ekonomike. Të gjithë këta faktorë duhet të luajnë rol me rëndësi për realizimin e aspiratave tona të shejta kombëtare.

S’ka dyshim se ç’prej ca vitesh Dielli po lëngon, kryesisht për çështje financiare. Do të ishte mëkat që pothuaj 300 mijë shqiptarë të Amerikës të lejonin që një gazetë si kjo të mbyllej. Duhet të ndjekim shembullin e grupeve të tjera etnike të cilat nxjerrin gazeta pothuaj edhe të përditshme. Zotimin për ta ndihmuar Diellin e morëm në Kuvendin e fundit të Vatrës që u mbajt në Boston. Jemi shumë të lumtur që patëm mundësi ta mbajmë këtë premtim. Qëllimi ynë është ashtu sikurse do të shihet edhe në të ardhmen, kombëtar, fetar, njerëzor dhe shoqëror. Dëshirojmë që ky hap të frymëzojë edhe atdhetarët e tjerë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë, si dhe Diasporën në përgjithësi. Megjithatë duhet të jemi modestë dhe të mos pretendojmë se kontributet tona mund të krahasohen me trimëritë dhe përpjekjet e luftëtarëve të lirisë, që dhanë jetën në fushë-beteja dhe atyre që po dergjen në burgje për bashkimin dhe lirinë e tokave arbërore.

Rroftë Shqipëria Etnike dhe e Lirë!

Vëllezërit Luc dhe Gjek Gjonlekaj

PROF. SAMI REPISHTI: GJEST BUJARIE DHE PATRIOTIZMI

Profesor Sami Repishti shkruante në numrin e 16 qershorit  në artikull të shkurtër me titull: ”Një shënim i vogël për një vepër të madhe- Gjesti Bujar i Vëllezërve Gjonlekaj.”

Shkëpusim një fragment: Në numrin 18 të Fletores “Dielli”(16 Janar 1986), lexova nji shënim pak rreshtash, në të cilin thuhej se vëllezërit Gjek dhe Luc Gjonlekaj, kanë marrë përsipër të paguajnë shpenzimet e botimit dhe shpërndarjes së Dielli-t për një periudhë gjashtëmujore.

Shkurtësia e shënimit nuk paksoi rëndësinë e veprës: gjesti fisnik i vëllezërve Gjonlekaj u kuptue mirë e shpejt nga të gjithë lexuesit e Dielli-t. Kjo vepër buajre më mbushi me gëzim, dhe në këto ditë të vështira për shtypin shqiptar në Amerikë, e Dielli-n veçanërisht, gjesti i dy vëllezërve merr një kuptim të dyfishtë: bujari dhe patriotizëm.”

Më pas Prof. Sami Repishti merr shkas nga bujaria e dy vëllezërve,jo vetëm për të treguar prejardhjen e  tyre nga Malësia e Madhe,por edhe për të argumentuar se gjesti i tyre nuk ishte rastësor, por buronte nga traditat e krahinës nga vinin.

  • Marre nga Libri nga proces-Dielli dhe Editoret -110 Vjet Histori-Te plote lexojeni ne Diellin ne print)

Viewing all articles
Browse latest Browse all 3554

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>