
– Kosova, mirënjohëse për përkrahjen e Japonisë/*
-Presidenti Thaçi pritet nga Lartmadhëria e Tij, Perandori Naruhito, bisedojnë për paqen në botë. Mirënjohje Perandorit në emër të popullit të Kosovës, për përkrahjen që Japonia na ka dhënë gjatë dhe pas luftës/

TOKIO, 13 Shtator 2019-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot është pritur nga Lartmadhëria e tij, Perandori Naruhito i Japonisë.
I përcjellë nga zyrtarët e oborrit perandorak, Presidenti Thaçi ka arritur në pallatin perandorak, ku është pritur nga Perandori Naruhito me nderimet me të larta.
Në takim me Perandorin, Presidenti Thaçi ka biseduar për rrugëtimin e Kosovës që nga përfundimi i luftës.
Presidenti Thaçi e ka uruar për epokën “Reiwa” që ka filluar Lartmadhëria e tij, Perandori Naruhito, duke shprehur dëshirën që fryma e harmonisë të mbretërojë në Japoni dhe në tërë botën.
Presidenti Thaçi i shprehu mirënjohje Perandorit në emër të popullit të Kosovës, për përkrahjen që Japonia na ka dhënë gjatë dhe pas luftës.
“Jemi popuj dhe vende mike dhe kështu do të jemi për gjithmonë”, shtoi Presidenti Thaçi.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, të dielën ka udhëtuar për një vizitë zyrtare disa ditore në Japoni. Ai zhvilloi takime me krerët më të lartë shtetërorë për të shtyrë përpara axhendën e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Kjo vizitë e presidentit Thaçi në Japoni vjen tash kur dy vendet janë duke kremtuar 10 vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike.
Vizita zyrtare ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit bilateral dhe zgjerimin e shkëmbimit tregtar ndërmjet dy vendeve, Kosovës e Japonisë.
Gjatë vizitës u konfirmua pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në panairin më të madh në botë “Osaka Expo 2025”, ku vendi ynë ka siguruar një pavion për promovimin e mundësive investive dhe produkteve të bizneseve./b.j/* Per me shume fotografi shih ne Facebook Gazeta Dielli