Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 3554

ALBIN KURTI VLERËSON RUGOVËN

$
0
0

KURTI VLERËSON RUGOVËN: PAVARËSIA ËSHTË KOMPROMISI PËR KOSOVËN/

-Lideri i Lëvizjs Vetëvendosje – partisë fituese të zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019 e kandidat për kryeministër, Albin Kurti, në një intervistë televizive: Ibrahim Rugova ka thënë pavarësia e Kosovës është kompromis, sepse qëllimi e synimi  ynë është diç më shumë. Edhe unë mendoj që sot kur takohemi me Beogradin, qoftë në Proces të Berlinit, qoftë në Bruksel, në Nju Jork apo Uashington, apo në iniciativat rajonale,  duhet t’ia përsërisim, është detyrë kombëtare, njerëzore, qytetare, politike t’i themi që pavarësia është kompromis, pranoje kompromisin/

-Në ditën e zgjedhjeve në Kosovë, në 6 Tetor 2019, duke cituar Presidentin historik Rugova nga takimet e deklaratat para vitesh që në titull “I VETMI KOMPROMIS PËR KOSOVËN ËSHTË PAVARËSIA” shkruaja për Gazetën DIELLI dhe që në fillim theksoja: “Dialogu me Serbinë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës do jetë një sfidë e Kuvendit e Qeverisë së re kosovare të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 6 Tetorit 2019”/

-Fotografi e vitit 1997: Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova priti në takim përfaqësues të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, Albin Kurtin, Driton Lajqin, Bujar Dugollin…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 26 Tetor 2019/ Lideri i Lëvizjs Vetëvendosje – partisë fituese të zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019 e kandidat për kryeministër, Albin Kurti, vlerëson Presidentin historik të Kosovës Ibrahim Rugova e në veçanti  për qëndrimin se pavarësia është kompromisi për Kosovën të deklaruar që para 30 vitesh e në vijimësi që duhet edhe tash t’i thuhet Serbisë që ta pranojë kompromisin.

I pyetur në një intervistë televizive në fillim të kësaj jave, të hënën e 21 Tetorit 2019, Albin Kurti për Presidentin Ibrahim Rugova, mes tjerash, tha:

“Por, e vlerësoj në veçanti  për vitet 1989-1992. Dhe aty për një deklaratë të tij që shumë veta mundohen ta heshtin. Edhe e ka dhënë në disa revista e kjo është me sa vijon, shumë e thjeshtë, e bukur, e saktë, e vërtetë, që na hyn në punë edhe pas 30 vjetëve: Pavarësia është kompromis. Ibrahim Rugova ka thënë pavarësia e Kosovës është kompromis, sepse qëllimi e synimi  ynë është diç më shumë. Edhe unë mendoj që sot kur takohemi me Beogradin, qoftë në Proces të Berlinit, qoftë në Bruksel, në Nju Jork apo Uashington, apo në iniciativat rajonale,  duhet t’ia përsërisim, është detyrë kombëtare, njerëzore, qytetare, politike t’i themi që pavarësia është kompromis, pranoje kompromisin”.

Edhe gjatë vizitës në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në Prishtinë në 4 Tetor në prag të ditës së zgjedhjeve Albin Kurti para mediave deklaroi se, “Para 30 vjetëve janë disa intervista dhe deklarime të Presidentit historik Ibrahim Rugova se pavarësia e Kosovës është kmpromis dhe unë besoj se edhe kjo është një gjë që duhet vlerësuar”.

Në ditën e zgjedhjeve në Kosovë, në 6 Tetor 2019, duke cituar Presidentin historik Rugova nga takimet e deklaratat para vitesh që në titull “I VETMI KOMPROMIS PËR KOSOVËN ËSHTË PAVARËSIA” shkruaja për Gazetën DIELLI dhe që në fillim theksoja: “Dialogu me Serbinë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës do jetë një sfidë e Kuvendit e Qeverisë së re kosovare të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 6 Tetorit 2019”.

E më tej, mes tjerash, shkruaja:

Para 14 viteve,  pikërisht ishte 6 Tetori 2005 kur Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej si vazhdimisht nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, ritheksonte se pavarësia është e padiskutueshme, tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova,  në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.

Pavarësinë e Kosovës, të shpallur para më shumë se 11 viteve – në 17 Shkurtin historik 2008, nga shtetet fqinje, vetëm Serbia nuk e ka njohur ende. Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federates me të drejtë vetoje, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën gjithësej shtatë – edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

Në një kumtesë dërguar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë në 4 tetor 2019 bëhej e ditur se “Presidenti Donald J. Trump ka shprehur sot qëllimin e tij për të emëruar këtë individ në një post kyç në administratën e tij:

 Richard Grenell nga Kalifornia, që të shërbejë njëkohësisht si i Dërguar Special Presidencial për Negociatat Paqësore të Serbisë dhe Kosovës, dhe si Ambassador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotëfuqishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën Federale të Gjermanisë”.

Në shkrimin me titull “I VETMI KOMPROMIS PËR KOSOVËN ËSHTË PAVARËSIA”, botuar në Gazetën DIELLI në 7 Tetor 2019, përkujtoja edhe këtë:

CLINTON PARA DHJETË VITEVE NË KOSOVË TREGOI SE SI RUGOVA KËRKOI NGA AI TË NA NDIHMOJ

Ne 20 vjetorin e Lirisë – ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s në Kosovë, në Prishtinë ka qëndruar ish-Presidenti i Amerikës, Bill Clinton. Kjo ishte vizita e tij e katërt në Kosovë, ndërsa një vizitë shtetit për të cilin kontribuoj për liri dhe pavarësi Clinton e pati edhe në vitin 2009.

Presidenti i 42-të amerikan, kur erdhi në nëntor të vitit 2009 mbajti një fjalim në Parlamentin e Kosovës, teksa përshëndetjen e nisi duke ndarë një kujtim që kishte me ish-Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Dua ta përkujtoj ish-Presidentin Rugova, i cili ishte një njeri i shkëlqyeshëm. Kuj­toi dhuratën që ai më ofroi, një gur unik, gjysmë kristali. Ishte ky gur që u bë i njohur edhe në Shtëpinë e Bardhë, si “Guri i Rugov­ës” në kohën që merreshim me problemet e Kosovës… Presidenti Rugova më dha këtë kristal të bukur. Unë ia shpjegova atij se jam rritur në një vend që në aspektin gjeologjik ngjan me Kosovën. Meqë vendlindja ime, Arkanzasi, ishte burimi më i madh i krista­leve të papërpunuara. Kur ia tregova Presidentit Rugova, atëherë ai tha se: – Ti duhet të na ndihmosh, meqenëse kemi një pikë të përbashkët, sepse është fati i tillë” – kujtonte Presidenti Amerikan Clinton këtë episod me Presidentin Historik të Kosovës.

ALBIN KURTI NË SHTËPINË E PAVARËSISË SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA NË PRISHTINË NË 4 TETOR 2019 – DEKLARATA E PLOTË:

 Filluam ditën me vizitën në Kryeqytetin e Lëvizjes në Shtëpinë e Lidhjes në Prizren, dhe tash jemi këtu tek Muzeu i Pavarësisë, që gjatë viteve të ’90-ta ishte Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës dhe ku e filloi veprimtarinë e tij politike, publike e diplomatike Presidenti Dr. Ibrahim Rugova. Në këtë shtëpi po ashtu bashkë me Adem Demaçin në vitet 1998-99 kemi mbajtur mbi 15 konferenca për shtyp si Zyre e Përfaqësisë së Përgjithshme Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjashtë prej të cilave i kam mbajtur unë vetë pa Bacën Adem, kur ai ndodhej ose në udhëtime zyrtare jashtë vendit ose për shkaqe shëndetësore ishte në Lubjanë.

Me Presidentin Ibrahim Rugovën unë jam takuar këtu në vitin 1997.  Dhe takimet tona kanë qenë konstruktive, edhe atëherë kur nuk jemi pajtuar. Unë e vlerësoj për insistimin e tij për pavarësinë e Kosovës, për lirinë e Kosovës dhe kundër okupimit të Serbisë dhe shtypjes, diskriminimit, shfrytëzimit që bënin administrata serbe mbi shqiptarët në apartheidin e viteve të ’90-ta. 

Para 30 vjetëve janë disa intervista dhe deklarime të Presidentit historik Ibrahim Rugova se pavarësia e Kosovës është kompromis dhe unë besoj se edhe kjo është gjë që duhet vlerësuar. Nga këtu po vazhdojmë te një shtëpi tjetër, tek Shtëpia e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, te shtëpia  e Kryekomandatit Adem Jashari dhe Jasharëve në Prekaz…

FOTOGRAFI E VITIT 1997: RUGOVA-KURTI…

Fotografi e vitit 1997: Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova priti në takim përfaqësues të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, Albin Kurtin, Driton Lajqin, Bujar Dugollin… 

Në foton e përbashkët shihet edhe këshilltari i Presidentit Rugova, Xhemajl Mustafa.

Takimi është mbajtur para protestës së fuqishme të studentëve dhe profesorëve të Universitetit të Prishtinës të 1 Tetorit 1997 në mbrojtje të arsimit shqip, për lirimin e Universitetit e shkollave të okupuara nga regjimi i dhunës serbe që nga viti 1991.

Nga arkivi-16 Gusht 2016: VATRANËT E SHBA NË SHTËPINË E PAVARËSISË SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA

Në Prishtinë, verë – 16 Gusht 2016: President i Lirisë e Pavarësisë së Kosovës përjetësisht…Përgjithmonë mirënjohës, falënderues…Shkruajnë vatranët nga SHBA në librin e pafund që shkruhet përditë nga populli në shtëpinë e vogël të punëve të mëdha e historike, e cila prej vitesh është e emërtuar: Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Këtë shtëpi-muze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e viziton nga mesdita e 16 gushtit 2016 delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku janë edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj dhe unë-korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës, pasi të gjithë së bashku u pritëm me shumë nderim e respekt në Ipeshkvinë e Kosovës dhe në Katedralen “Nënë Tereza” nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, e me ftesën e tij ishim pjesëmarrës edhe në ceremoninë e promovimit të Pullës Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”…

Në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova së pari hymë në dhomën e vogël që ishte zyrë e Presidentit historik, pastaj në sallën ku priste delegacione më të mëdha e mbante konferenca për shtyp, në dhomëzen ku ishte teknika e komunikimeve me botën e për shpërndarjen e informacioneve, duke kaluar nëpër korridorin një pjesë e të cilit ishte byfe…Shumë vjet të kohës së lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, kam kaluar nëpër këtë shtëpi historike dhe në ditën e vizitës së Vatrës shqiptare nga SHBA flas edhe si ciceron…

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova….  Këte e shumë momente tjera e zhvillime historike për shqiptarët e Kosovën, në këtë verë 2016, i përkujtojmë me Agimin-zv/kryetarin e Vatrës, mikun e bashkëpunëtorin e afërt të Presidentit historik Rugova, themeluesin e udhëheqësin e LDK-së në SHBA, derisa hyjmë në këtë shtëpi të ëndërrave e idealeve të mëdha, mbi portën e së cilës nga fundviti 2002 ishte vendosur mibishkrimi Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, e pastaj Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova…

Edhe të gjitha këto i biseduam e kujtuam me delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra derisa vizituam Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës e pastaj edhe derisa në ëmbëltoren e afërt ku pinte kafe Presidenti historik Rugova pinim kafe edhe ne…


Viewing all articles
Browse latest Browse all 3554

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>