Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 3554

VATRA sot është një stad më lart se dje, Nesër do të jetë më lart se sot…

$
0
0

Kryetarët e Vatrës janë të gjithë kalimtarë, përveç Nolit e Konicës, të cilët shërbejnë për vatranët e mirë si modeli i vendosjes së dashurisë mbi urrejtjen…./

NGA DRITAN MISHTO/

Fjala e Kryetarit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA mbajtur në Kuvendin e Michigan, me 19 Janar 2020/

Të dashur Anëtarë, Delegatë dhe Drejtues të Federatës!

Të nderuar Klerikë!

Të nderuar përfaqësues të organizatave të komunitetit!

Dua t’Ju uroj fillimisht: Mirëserdhët në Kuvendin e Federatës sonë.

Kuvendi i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA i mbajtur sot në Michigan është një ngjarje e rëndësishme për të gjithë vatranët dhe mbarë komunitetin shqiptar dhe besoj se ai do të dalë me sukses dhe të përmbushë objektivat e tij.

Siç e dini, ky Kuvend shënon edhe përfundimin e mandatit tim si Kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, i zgjedhur me një shumicë shumë të cilësuar në Kuvendin e vitit 2017, i cili është cilësuar gjerazi një kuvend historik, pasi pas dekadash të tëra, kandidatët paraqitën platformat e tyre duke marrë besimin e delegatëve në formën më transparente, me votim të fshehtë në një shumicë tejet të cilësuar. Kuvendi 2017 ishtë historik edhe për faktin se pas dhjetëra vitesh, Vatra u drejtua nga një kryetar ri në moshë, që solli me vehte shumë të rinj të tjerë që janë me ne sot këtu. Nuk ka gjë më historike se të jesh dëshmitar i ndryshimit të mentalitetit në drejtimin e një organizate, aq më shumë Federatës Vatra. Ky besim i madh i vatranëve, më ka qëndruar gjithmonë si “shpata e Demokleut” duke më shtyrë drejt maturisë dhe përkushtimit në përmbushjen e kësaj detyre të lartë shoqërore dhe vullnetare.

Dua të falenderoj nga zemra secilin prej jush dhe të shpreh mirënjohjen time të thellë për punën e mirë dhe bashkëpunimin, që kemi pasur. Pa mbështetjen tuaj do të ishte e pamundur të kryenim tërë ato punë të mëdha. Dua të përulem me nderimin më të madh edhe përpara vatranëve të vjetër të të gjithë epokave, për sakrificat e tyre deri në vetëmohim në dobi të Federatës sonë, Shqipërisë dhe kombit. Gjatë këtij mandate, ne përjetuam me dhimbje kalimin në botën e përjetshme të Presidentit tonë të nderit z. Agim Karagjozi, i cili më mbështeti me tërë forcën dhe mundësitë e tij, jashtë çdo imagjinate për kushtet e tij shëndetësore, duke vizituar zyrat dhe duke marrë pjesë edhe në aktivitetet tona. Jam takuar me z. Karagjozi disa herë gjatë kësaj periudhe dhe shpreh respektin tim më të thellë për atë njeri me mendje të hapur dhe me shumë mirësi në shpirt, i cili më qëndroi gjithnjë pranë gjatë ushtrimit të detyrës sime.

Gjatë këtyre dy viteve unë kam punuar fort që në Vatrën tonë të dashur të ndryshojë mënyra se si konceptohen gjërat dhe si zbatohen projektet. Kam punuar fort që mendja e hapur të mbizotërojë ndaj ngushtësisë, vështrimi larg i problematikës sonë kombëtare të qëndrojë mbi optikën e dobët dhe arkaike. Jam i lumtur që shumë të rinj janë sot në Vatër dhe janë pranë nesh. Vetëm duke punuar me vehten tonë së pari, për përmirësimin e pandalshëm të mendësive tona, do të mund t’i tregojmë të tjerëve se cilët jemi.

Këto dy vite, Federata Pashqiptare e Amerikës Vatra ka njohur rritje të dukshme. Pas Kuvendit 2017, Kryesia ka pasur në përbërjen e saj një gërshetim brezash të ndryshëm, por me të njëjtin përkushtim për të përmbushur objetivat e marra përsipër. Duke pasur vlerësim të plotë për punën e vatranëve ndër vite, unë propozova që përbërja e Këshillit të Vatrës të mbetej pothuaj e pandryshuar. Dhe kështu u bë. U ruajt përbërja e Këshillit të mëparshëm të Vatrës, si vlerësim për punën e kryer, por edhe sepse gjithnjë kam këmbëngulur që Këshilli i Vatrës duhet të ketë autoritet mbi Kryesinë dhe Kryetarin dhe se Këshilli duhet të ishte krejt jashtë ndikimit tim si kryetar. Për fat të mirë marrëdhëniet me Këshillin kanë qenë të mira dhe sjellja e Kryesisë dhe profesionalizmi i të dy strukturave, pra Kryesisë dhe Këshillit bëri që gjatë kësaj periudhe të ketë bashkëpunim të shkëlqyer, duke ruajtur stabilitetin e Federatës sonë. Të gjitha vendimet e Kryesisë, pa asnjë përjashtim janë miratuar nga Këshilli dhe Këshilli ka mbështetur hapur Kryesinë.

Për herë të parë, me qëllim që të ketë një garanci të plotë të zbatimit të Kanunores, Këshilli miratoi formimin e Komisionit për Garantimin e Kanunores, si një organ që garanton funksionimin tonë. Si kryetar i ri une lashë në drejtimin e kësaj strukture të njëjtin person, i cili edhe më përpara ishte marrë me rishikimin e strukturës ligjore të Vatrës, juristin z. Bashkim Musabelliu. Ky Komision, me një përgjegjësi të lartë do të parashtrojë rishikimet kanunore, një punë e lënë e papërfunduar prej vitesh e vitesh, me synimin që t’i jepet Federatës një përshtatje sa më e plotë me kuadrin bashkëkohor të funksionimit të organizatave vullnetare.

Figurat më të njohura të artit shqiptar në nivel ndërkombëtar vizituan Vatrën. Aktivitetet e Federatës VATRA dy vitet e fundit kanë qenë me pjesëmarrjen më të lartë të shënuar ndër vite, gjë që na ka mbushur me gëzim. Vatra po lëviz dhe po rimerr prestigjin e dikurshëm. Festimet e 106 vjetorit dhe 107 vjetorit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA ishin me motot: “Vatra nuk është Politike – Vatra është Mbipolitike” dhe “Jam vatran se jam shqiptar / jam shqiptar se jam vatran”.

Teza e hedhur prej nesh “Vatra nuk është Politike – Vatra është Mbipolitike” është një sintezë e tërë asaj çfarë është dhe duhet të jetë Vatra. Të jesh apolitik dhe të jesh mbipolitik janë gjëra ta ndryshme. Është e vërtetë se Vatra është apolike, domethënë nuk merret dhe nuk mban asnjë krah politik. Vatra është Mbipolitike që do të thotë se Vatra qëndron mbi çdo zgjidhje që mund të ofrojë politika, pasi largpamësia e Vatrës është përtej opsioneve dhe interesave të politikës së ditës. Ka qenë qëndrimi Mbipolitik, ai që e ka mbajtur Vatrën gjithmonë në qendër të mendimit estetik shqiptar.

Teza tjetër e hedhur prej nesh këtë mandat “Jam vatran se jam shqiptar / jam shqiptar se jam vatran” tregon përmbledhurazi binomin dhe standardin, që ka vendosur Federata VATRA me punën e saj për çështjen shqiptare duke lidhur shpirtërisht ëndrrën e çdo shqiptari të mirë me punën shekullore të Vatrës.

Për herë të parë ne po festojmë ditëlindjet e Vatrës periodikisht, një traditë e cila duhet të vazhdojë sepse ato na ndërgjegjësojnë gjithnjë e më shumë për kujdesin që duhet të tregojmë për shëndetin e Federatës sonë të dashur.

Gjatë këtij mandate ne filluam të kërkojmë grupet e hershme të emigrantëve vatranë dhe e nisëm me rivendosjen e kontakteve me zagoritët gjirokastritë, ardhja e të cilëve në selinë e Vatrës ishte emocionuese.

Federata jonë ka tashmë një kategori nderimi të veçantë për anëtarët e saj, të cilët vazhdojnë të jenë aktivë: “50 vjet anëtarësi aktive” duke përbërë diçka të rrallë edhe për organizatat amerikane. Gjithashtu, ndonëse të rinj në moshë, ne vendosëm të nderojmë figura të njohura të komunitetit tonë, njerëz me reputacion dhe kontribut prej dekadash për çështjen tonë kombëtare, të cilët Vatra duhet t’i kishte nderuar prej kohësh dhe akoma nuk i kishte nderuar si: Prof. Sami Repishti, Prof. Nicholas Pano, Dr. Elez Biberaj, z. Ekrem Bardha.

Figura të nderuara të nacionalizmit shqiptar kanë qenë pjesë e aktiviteteve tona, si akademia për Hysni Lepenicën apo aktivitetet në nderim të Mid’hat Frashërit, për të cilin dua të falenderoj publikisht mikun e Vatrës z. Pëllumb Lamaj, një ish i burgosur politik I pakompromis .

Siç e dini kohët e fundit u krye rivarrimi i ështrave të Mit’hat Frashërit në Shqipëri. Federata VATRA shprehu publikisht qëndrimin e saj nëpërmjet meje në Zërin e Amerikës, se Mid’hat Frashëri duhej të sillej në atdhe i plotë dhe jo i cunguar, si edhe të mos përdorej për qëllime politike. Rivarrimi i tij nga qeveria shqiptare vetëm si Lumo Skëndo, duke lënë në errësirë kontributin e madh patriotik, është për VATRËN, i papranueshëm. Qeveria Shqiptare duhej t’i paraprinte fushatës dhe debatit të gjerë intelektual për veprat dhe veprimtarinë patriotike të Mit’hat Frashërit dhe të ndërmerrte nisma konkrete administrative në nderim të këtij personaliteti. Ja ku jemi sot pas kaq kohësh. Çfarë është bërë për rivlerësimin institucional të figurës së tij? Asgjë. Koha provoi qëndrimin e drejtë të Federatës VATRA, që nuk pranoi të bëhej pjesë e fasadës qeveritare sepse edhe pas kaq kohësh Mi’thati prehet në Shqipëri, por fatkeqësisht vepra e tij mbetet e varrosur së bashku me eshtrat, në harrësë të plotë.

Gjatë këtij mandati ne patëm fatin e rrallë të ishim dëshmitarë të 110 vjetorit të Gazetës Dielli. Ky jubile I madh e gjeti gazetën Dielli në kulmin e saj, të paktën 50 vitet e fundit. Me këtë rast dua të shpreh respektim tim më të madh dhe të falenderoj publikisht në emër të Federatës Vatra, Editorin e Gazetës z. Dalip Greca, për punën e tij të shkëlqyer, mençurinë dhe durimin në drejtimin e saj. Z. Dalip Greca meriton mirënjohjen tonë më të thellë dhe jam i bindur se koha e ka futur në panteonin e gazetarisë profesioniste. Gjatë këtij mandati ne arritëm të sjellim në gazetë pas gjashtë dekadash edhe Editoren për botimin në Anglisht Znj. Rafela Prifti, pasuese e denjë e Peter dhe Naum Priftit, së cilës dua t’i shpreh respektin tim më të thellë për profilin shumë interesant që i ka dhënë gazetës. Simpoziumi shkencor me pjesëmarrjen e studiuesve të njohur shqiptarë dhe amerikanë, nga Libraria e Kongresit Amerikan, evidentoi faktin, që na bën vërtet krenar, se Gazeta Dielli është sot gazeta më e vjetër e kombeve, që jetojnë në Amerikë dhe që vazhdon të botohet. Kjo është vërtet prekëse dhe na shton përgjegjësinë që ne duhet ta ruajmë me fanatizëm këtë dhuratë të artë që na kanë dhënë koha: Gazetën Dielli.

Gjatë këtij mandati ne arritëm të ngrejmë bibliotekën e Federatës sonë. Siç dihet ne kemi pasur shumë libra, në një magazinë, por nuk kemi pasur bibliotekë. Dua të falenderoj veçanërisht z. Idriz Lamaj dhe znj. Arjeta Ferlushkaj, të cilët profesionalisht arritën të ngrejnë bibliotekën e Vatrës, me një sistem bashkëkohor inventarizimi, regjistrimi dhe skedimi. Po ashtu ne kemi kryer digjitalizimin profesional të koleksionit të numrave të Gazetës Dielli. Numrat e vjetër dhe të rinj, të ruajtur me fanatizëm ndër dekada tashmë janë kthyer në kopje elektronike dhe mund të përdoren lehtësisht.

Të dashur vatranë!

Periudha e drejtimit tim të Federatës Vatra përkoi me mandatin e dytë qeverisës të socialistëve në Shqipëri. Qeveria Socialiste Rama, në vlerësimin tonë mbetet një qeveri pinjolle fizike dhe shpirtërore e ish-diktaturës shqiptare. Shkeljet e të drejtave të njeriut në të gjitha format, lirisë dhe pronës janë kthyer tashmë në një sjellje normale qeveritare. Kriminalizimi i parlamentit dhe vjedhjet e hapura të financave publike nëpërmjet projektesh të dyshimta, të denoncuara publikisht nga një sërë strukturash ndërkombëtare, po e varfërojnë dhe do ta zhysim akoma më shumë ekonominë në kolaps. Tërmeti i fundit në Shqipëri nxorri krejtësisht zbuluar paaftësinë e kësaj qeverie për të menaxhuar kriza të tilla, e cila shpërdorimet dhe mungesat buxhetore kërkon t’i mbulojë me donacionet e shteteve mike dhe ndihmat e shqiptarëve nga e tërë bota. Arroganca qeveritare socialiste arriti deri në daljen hapur kundër qëndrimeve të Qeverisë Amerikane, në disa votime në OKB, akt i cili befasoi dhe shqetësoi shqiptarët kudo në botë. VATRA e shprehu qëndrimin e saj në instancat më të larta të administratës amerikane dhe argumentoi rrezikshmërinë dhe pasojat e veprimeve të tilla nga ana e Kryeministrit Rama.

Fatkeqësisht kjo Qeveri vrau shpresën për të ardhmen. Mijëra shqiptarë kanë emigruar dhe po vazhdojnë të emigrojnë, duke ulur drastikisht popullatën. Ku do shkojmë pas disa dekadash nëse keqqeverisja vazhdon? Nëse korrupsioni qeveritar dhe nismat e tjera të dëmshme nuk ndalen?

Siç e dini Federata VATRA u prit para pak muajsh në Departamentin e Shtetit, takim i cili hapi një faqe të re në marrëdhëniet e Federatës Vatra me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Ne paraqitëm shqetësimet tona për situatën në Shqipëri dhe më gjerë. Gjithashtu i jam drejtuar personalisht Presidentit Trump me një letër ku e kam cilësuar Qeverinë Socialiste Rama si një qeveri me mentalitet totalitar, të korruptuar dhe të lidhur me trafikun e narkotikëve, dhe duke i kërkuar kësisoj Z. Trump kthimin e vëmendjes ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Fatkeqësisht Qeveria Socialiste Rama po bën atë dëm që as armiku më i madh nuk mund t’ja shkaktonte vendit tonë.

Dashuria e shqiptarëve për Amerikën duhet mbajtur gjallë dhe duhet ushqyer edhe duke rritur vëmendjen amerikane ndaj shqiptarëve.

Për këto arsye ne shpallëm në vitin 2018 në Vatër “Strategjinë për Mbrojtjen dhe Thellimin e Marrëdhënieve Shqiptaro – Amerikane” gjatë publikimit të librit më të fundit të studiuesit të mirënjohur Frank Shkreli. Kjo strategji konsiston në një rol aktiv të VATRËS për mbajtjen gjallë të këtyre marrëdhënieve, pavarësisht qëndrimeve të qeverive shqiptare, që për interesa të ngushta, në periudha të ndryshme kanë ndikuar në dobësimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona. Jam i bindur se kjo strategji do të vazhdojë të zbatohet në të ardhmen duke treguar intolerancë maksimale në çdo shfaqje, që dobëson marëdhëniet mes dy vendeve tona.

Gjatë vitit 2018 ne patëm një bashkëpunim të mirë me Autoritetin e Dosjeve nga Shqipëria. Gjatë këtij projekti mes Federatës Vatra, Autoritetit të Dosjeve dhe Zërit të Amerikës u arrit të sigurohen një sërë intervistash, histori të jetës dhe dëshmi, që tashmë janë depozituar në arkivën e Autoritetit të Dosjeve në Tiranë dhe i shërbejnë studiuesve. Po ashtu Federata Vatra mori konform legjislacionit Dosjen e Sigurimit të Shtetit, e cila për arsye studimore po shfrytëzohet nga Editori për botimin e librit të tij përmbledhës për Editorët e Gazetës Dielli ndër vite. Po ashtu ne kryem disa aktivitete në nderim të viktimave të komunizmit me pjesëmarrjen në aktivitetet vjetore të organizuara nga Fondacioni për Viktimat e Komunizmit dhe po ashtu në shtatoren e ngritur në Uashington DC.

Të dashur vatranë!

Si gjithmonë, Vatra ka ndjekur me vëmendje shqetësimet kombëtare që vinin nga të gjitha trojet shqiptare, pas asnjë dallim. Jemi shprehur haptazi kundër bisedimeve Kosovë – Serbi për rishikimin e kufinjve, si një strategji e rrezikshme, që mund të vinte në pikëpyetje procesin e njohjeve të Repulikës së Kosovës dhe një precedent i rrezikshëm në kuadër të së drejtës ndërkombëtare. Konsolidimi i shtetit të Kosovës dhe jo vënia në dyshim e tërësisë territoriale të tij është rruga e vetme e Kosovës si shtet i sigurtë. Në këtë aspekt Federata Vatra ka ndërmarrë hapa konkretë për njohjen e Kosovës si shtet nëpërmjet kërkesave direkte. Kështu, gjatë vizitës së fundit që Nunci Apostolik i Vatikanit në Shqipëri zhvilloi në selinë tone në Nju Jork, ne i kërkuam me forcë njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Vatikani, për një sërë arsyesh që ne i dimë të gjithë.

Kohët e fundit ka pasur zhvillime në drejtim të të ashtuquajtuarit “shengen ballkanik”, ku boshti kryesor mbetet Tiranë – Beograd dhe se pjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut duket anësore. Federata Vatra është së pari tërësisht kundër çdo nisme rajonale që përjashton Republikën e Kosovës dhe së dyti kundër çdo tendence për krijimin e hapësirave serbe në Shqipëri. Futja e Serbisë në Shqipëri ne vetvehte, por edhe duke lënë jashtë Kosovën është një plan në dëm të botës shqiptare.

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut dhe ardhja në krye të Parlamentit të një politikani shqiptar është padyshim një arritje, por jo më e madhja dhe as e mjaftueshme. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë akoma punë për të konsoliduar bashkëpunimin, si mundësia më e mirë për të rritur faktorizimin e tyre në shoqëri dhe politikëbërje.

Në Malin e Zi, politika shqiptare shënoi një arritje të madhe, fitoren në Komunën e Tuzit, si pasojë e bashkimit të subjekteve politike dhe vetë elektoratit shqiptar, gjë e cila përbën një sinjal dhe mesazh të qartë për të gjithë shqiptarët, kudo qofshin.

Kryeministri Socialist Rama e nisi qeverisjen e tij me moton: “Zero probleme me fqinjët”. Por sot në përfundim të mandatit të dytë qeverisës, Shqiperia rezulton me probleme të thella me të gjithe fqinjët dhe Zero probleme vetëm me Serbinë. Marredhëniet me Greqine jane në nivelet më të ulëta të tre dekadave të fundit duke injoruar haptazi faktin që afro një milion shqiptarë jetojne në atë shtet. Marrëdheniet me Greqine duhet të trajtohen ndryshe nga ato me fqinjët sllavë. Këto marrëdhenie duhen trajtuar me kujdes, mençuri dhe dashuri. Duhet trajtuar me kujdes sepse kërkimet më të fundit po tregojnë gjithnjë e më shumë afrimin genetik mes shqiptarëve dhe grekëve. Duhet trajtuar me mençuri sepse prej shekujsh shqiptarët, apo të njohur si arvanitasit, kanë jetuar dhe jetojnë në Greqi, duke u pasar tre dekadat e fundit edhe me qindra mijëra shqiptarë, mes të cilëve ka një numër të lartë martesash mikse, me lindjen e dhjetëra fëmijëve shqiptaro-grekë dhe greko-shqiptarë. Duhet trajtuar me dashuri sepse me kaq shumë ura lidhëse, vetëm një marrëdhënie e mirë dhe e afërt mes dy vendeve dhe popujve do të lehtësojë zgjidhjen e problematikave tona. Dashuria mes popujve tanë duhet t’i paraprijë qëndrimeve të qeverive, të cilat kur bien në duar të gabuara dhe dritëshkurtra shkaktojnë tronditje mes popujve. Është me rëndesi jetike për kombin tonë që në ti rikthehemi nivelit të ndërgjegjësimit kombëtar në kuotat e Shqipërisë paraosmane, apo skernderberiane, për të rivendosur standardet e orientimit perëndimor dhe të riformatojmë rolin tonë si shqiptarë në Ballkan.

Të dashur vatranë!

Gjatë drejtimit të Federatës ruaj si një nga momentet më të bukura të jetës vizitën e delegacionit tonë në Kishën Orthodhokse të Shën Gjergjit në Boston. Kjo vizitë shënoi edhe nisjen e aktiviteteve për kremtimin e 110 vjetorit të gazetës Dielli. E ku më mirë se tek Kisha e Nolit do të mund ta nisnim një aktivitet të tillë? M’u dha mundësia që të isha i pari kryetar i Federatës Panshqiptare VATRA, të ulem në karrigen dhe tryezën e punës së Fan Nolit. Gjithashtu pata rastin të bisedoj konfidencialisht me At Artur Liolin pikërisht në zyrën e Nolit, hyrja në të cilën i nënshtohet një protokolli të veçantë dhe për afro gjysëm orë zhvilluam në këtë zyrë të shenjtë një bisedë sa shpirtërore aq edhe tokësore, për të shkuarën dhe të ardhmen. Me këtë rast dua të falenderoj publikisht At Artur Liolin për gjithë respektin dhe bashkëpunimin! Zoti e bekoftë!

Të dashur anëtarë të Kryesisë, të Këshillit dhe të Degëve!

Gjithmonë kam qenë i hapur ndaj sugjerimeve e kritikave dhe mendoj se Federata VATRA nuk ka pasur ndonjëherë demokraci të brendshme më shumë sesa kësaj periudhe. Kam ndjekur gjithmonë konceptin filozofik platonian: E pyetën Platonin se cila është zgjidhja kur të bëjnë kritika? – Shqyrtoji kritikat me dashuri, u përgjigj Platoni. Po kur të kritikojnë ashpër? – Sërish shqytoji me dashuri. Po kur shpifin, intrigojnë, sulmojnë në mënyrat më të ulëta, çfarë duhet të bëjmë Platon? – Atëherë duhet të shtosh dozën e dashurisë.

Federata VATRA sot është një stad më lart se dje. Nesër do të jetë një stad më lart se sot. Kështu Vatra jonë e dashur forcohet gjithnjë e më shumë. Kryetarët e Vatrës janë të gjithë kalimtarë, përveç Nolit e Konicës, të cilët shërbejnë për vatranët e mirë si modeli i vendosjes së dashurisë mbi urrejtjen, përunjësisë mbi arrogancën dhe argumentit mbi forcën e injorancës.

E kam shprehur edhe më parë në mbledhjet e strukturave tona, edhe në mbledhjen e Këshillit që në Mars 2018, se unë nuk do të rikandidoj për postin e kryetarit të Federatës Vatra me arsyen e vetme se qarkullimi i elitës drejtuese e shëndosh strukturën tonë. Noli e Konica e kanë përcaktuar drejt në Kanunoren e Vatrës, duke vendosur mandat afatshkurtër për kryetarin. Kjo është bërë pikërisht për të qarkulluar elitat drejtuese, t’i japim mundesine kujtdo të drejtojë Federatën dhe jo që kryetarët të qëndrojnë me vite të tëra në drejtim, të vegjetojnë dhe të mbysin çdo ide që guxon të nxjerrë krye. Federata Vatra nuk eshte e kryetarëve, por kryetaret duhet t’i shërbejnë Federatës. Çdo kryetar, duke e konsideruar këtë detyrë të lartë shoqërore dhe vullnetare si përgjegjësi dhe jo si privilegj, duhet të përmbushë mandatin e tij kohor duke dhënë sa më shumë dhe jo të mendojë se si të rizgjidhet. Ashtu siç nga ana tjetër, askujt nuk mund t’i shkojë ndermend, kushdo qofte ai, se Kryetari i Vatrës të mund të largohet nga zyra e Vatres, jashtë dëshirës së tij përpara mbarimit të mandatit, si pasojë e sulmeve, shpifjeve dhe inskenimeve. Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë.

Ndaj, ndonëse me mbështetjen unanime të Kryesisë, të shumicës së cilësuar të Këshillit, të Degëve dhe të Anëtarësisë, duke falenderuar përzemërsisht secilin prej jush, ju përsëris vendimin tim e parevokueshëm për të mos rikandiduar. Me këtë rast dua të falenderoj të gjithë bashkepunëtorët e mi të ngushtë në kryesi për mbeshtejen që më kanë dhënë gjatë ushtrimit të detyrës.

Kuvendi i Michigan 2020 jam i bindur se do te thellojë më tej reformat e nisura në Kuvendin historik të Nju Jorkut 2017. Reformimi i Vatrës dhe jo kthimi mbrapa në mentalitetin e ndryshkur të bllokimit, është jo vetëm domosdoshmeri, por edhe rruga e vetme për ngritjen e Federates Vatra në nivelin e kohës. Dua t’Ju siguroj të gjitheve, duke sjellë përpara jush aksiomën e provuar të filozofisë së lashtë greke: Rezultati i çdo plani të bazuar në urrejtjen është vetëm dështimi. Ndaj, Vatra do të shohë vetëm përpara!

Tashmë, si një ndër kryetarët e rradhës të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, jam i kënaqur kur shoh se Federata Vatra dhe Gazeta Dielli mbesin autoriteti më i lartë moral i botës shqiptare dhe të vendosura të mbajnë në supe peshën e rëndë që u ka vënë historia mbi shpinë, për të dërguar çështjen shqiptare drejt destinacionit të zgjidhjes së plotë. Jam i bindur se anëtaret e Federatës sonë, të cilët do të mbesin për mua gjithmonë “vatranet e mi të dashur” do të ecin përpara me ritëm të shpejtë, pa e ndalur hapin dhe do të vazhdojnë të bëjnë punë të mira, sepse gara jonë nuk është me të shkuarën. Gara jone është me atë që na kërkon koha. Me të ardhmen!

Rroftë Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA!


Viewing all articles
Browse latest Browse all 3554

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>