




Nga Keze Kozeta ZYLO/
Gazeta “Dielli” mbetet gazeta më e vjetër shqiptare për Kombin dhe si e tillë na bën të ndihemi krenar dhe ta përkujtojmë me madhështi çdo përvjetor të saj.
Gazeta “Dielli” e ka nisur udhën e ndritshme te saj 110 vjet të shkuara me editorin e parë, eruditin e pashoq Fan Stelian Nolin te cilin me te drejtë Konica e ka quajtur si: “At Noli nga kultura, nga mendësia dhe nga karakteri i tij, më kujton shpesh Kishtarët e Përlindjes Italiane”.
Editori i dyte i gazetës “Dielli” ka qenë Faik Konica dy korifej të kulturës kombëtare.
Dita e shtunë për komunitetin shqiptar në Amerikë dhe më gjerë ishte një ditë e shënuar, një ditë e dielltë si vetë emri që mban gazeta. Në mjediset e West Club në Manhattan në kryeqendrën e botës që është një hotel historik në New York City u zhvillua konferenca shkencore, më datën 6 prill për 110-të vjetorin e gazetës “Dielli” nën moderimin e gazetarit Frank Shkreli, ish drejtor i Divizionit te Euro-Azisë në Zërin e Amerikës si dhe gazetares Rafaela Prifti editore e gazetës “Dielli” për gjuhën angleze.
Dhoma ku u zhvillua konferenca dukej sikur ishte nje muze i hapur, një muze që të pranishmit kishin mundësi të shikonin fotot që nga krijimi i gazetës “Dielli” si dhe gjithë editorët e saj në një kënd të veçantë. Duke medituar nëpër foto me plot emocion dhe kërshëri brezit tonë i shtohet dhe më shumë detyra morale dhe kombëtare për t’jua transmetuar brezave të ardhshëm historinë e ndritur të vatrës se ndryshe do të ndodh siç thotë politikani, gazetari dhe publicisti i famshëm: Marcus Mosiah Garvey Jr. se:
“A people without the knowledge of their past history, origin and culture is like a tree without roots”, që perkthehet: “Një popull pa dijet dhe mësimin e historisë, origjinës dhe kulturës së tij të kaluar, është si një pemë pa rrënjë”.
Konferenca u hap me interpretimet e dy hymneve kombëtare amerikane dhe shqiptare. Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, z.Dritan Mishto pasi iu uroi të pranishmëve mirësardhjen si dhe 110-të Vjetorin e Diellit e deklaroi të hapur Konferencën shkencore të 110-të Vjetorit të Diellit.
Në këtë konferencë ishin dy nga penat më brilante dhe më të njohura në fushën e gazetarisë dhe të historisë si prof.Nikolla Pano, z.Elez Biberaj si dhe z. Grant Harris nga Libraria e Kongresit Amerikan.
Ligjëruesit në këtë konferencë ishin: prof. Nikolla Pano, dr. Elez Biberaj, z.Grant Harris, Prof. Dr.Muharrem Dezhgiu, Ambasador Mal Berisha, Neka Doko, Anton Çefa, Dr. Arjeta Ferlushkaj, Ernestina Halilaj, Idriz Lamaj, Agron Alibali, Rafaela Prifti, editori i Diellit z.Dalip Greca.
Kumtesat e autorëve Agron Alibali dhe Anton Çefa në mungesë të tyre u lexuan nga Merita Bajraktari dhe Rafeala Prifti.
Prof.Nikolla Pano paraqiti kumtesën mbi “Rolin e Diellit në Ringjalljen Kombëtare dhe në Bashkësinë Shqiptaro-Amerikane gjatë viteve 1909-1924. Z.Grant Harris foli mbi gazetën “Dielli” në kuadër dhe nga perspektiva e shtypit evropiano-lindor në Amerikë nga vitet 1890 deri në vitin 1914.
Dr. Elez Biberaj, Shef i Drejtorisë për Euro-Azinë në Zërin e Amerikës kujtoi një ish-redaktor të Diellit me temën: “Për bashkëpunimin me Diellin gjatë kohës kur redaktor i gazetës ishte Xhevat Kallajxhiu dhe disa komente për sfidat e shoqërisë shqiptare sot në Shqipëri dhe Kosovë”.
Gazetari i Zërit te Amerikës Ilir Ikonomi solli për të parën herë intervistën e Faik Konicës me gazetarin e radios NBC, Hilmar Baukhage, transmetuar më 8 prill, 1939.
Ambasadori Mal Berisha paraqiti kumtesen me temë: “Vatra, qeveri në mërgim dhe kontributi në Konferencën e Paqes në Paris, 1919 dhe në atë të OKB-së në San Francisko, 1945.
Prof. Muharrem Dezhgiu foli “Mbi Diellin në shekullin e dytë të tij”.
Kumtesa e ish editorit të Diellit Anton Çefa u lexua nga znj. Merita Bajraktari, tema e referatit ishte: “Nacionalisti dhe demokrati i përkushtuar, Xhevat Kallajxhi.”
Studiuesi Idriz Lamaj solli referatin me temën: “Publicistika antikomuniste shqiptare në mërgim dhe gazeta Dielli, duke përmendur gazetat Flamuri, L’Albanie Libre, Shqipëria, Bashkimi i Kombit dhe dhjetra gazeta të tjera të Mërgatës, në polemika me Diellin.
Dr. Arjeta Ferlushkaj lexoi referatin me temën: “Në brendësi të Diellit. Strukturimi i brendshëm i gazetës ndër vite”.
Ndërsa, Agron Alibali dhe Loreta Loli sollën kumtesën me studime me temën: “Faik Konica: pak i njohur – Shkrime dhe studime nëpër faqet e Diellit – 1939 – 1942”.
Gazetarja Rafaela Prifti dhe editore për anglishten në gazetën “Dielli” solli kumtesën për një ish-redaktor të Diellit dhe ish sekretar te Vatrës, Profesor Petër Priftin.
Të gjitha kumtesat u dëgjuan me vëmendje të posaçme nga të pranishmit.
Fjala e mbylljes u bë nga Editori i Diellit Dalip Greca i cili ka dhjetë vjet që është pranë kësaj gazete dhe nga të gjithë diskutantët u folën fjalë miradie për punën e palodhur të tij dhe plot përkushtim në shërbim të gazetës “Dielli”, gazetë që i përket Kombit. Z.Dalip Greca, pasi vlerësoi të gjitha kumtesat e mbajtura, mbajti referatin me temë: “Gazeta e Rilindjes Kombëtare”, 110 vite histori, sfidat e mbijetesës, editorët, menaxherët, vlerat e risitë.”
Darka solemne kushtuar 110 vjetorit të gazetës ”Dielli”
Darka solemne u zhvillua në të njejtat mjedise në West Club ne Manhattan ku mjaft vatranë, anëtarë të komunitetit dhe personalitete të Diasporës morën pjesë për të festuar dhe nderuar së bashku 110 tëVjetorin e Gazetës “Dielli”, gazetës më një histori të pashoqe në median shqiptare, gazetës që i shërbeu me devotshmërinë më të lartë Kombit.
Darkën solemne e ka moderuar znj.Marjana Bulku anëtare e kryesisë së Vatrës.
Darka është bekuar nga Imami i Xhamisë në Queens z.Edin Gjoni. Fjala e tij elekuente gjithmonë i tërheq të pranishmit që e dëgjojnë dhe e respektojnë. Ai e uroi gazetën “Dielli” që të rrojë sa Dielli në qiell.
Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” duke falënderuar kryesinë për punën e palodhur për organizimin e 110 të Vjetorit të Diellit dhe duke i përkshkruar portretet e tyre me pak humor të spikatur në emër të kryesisë ndau çmimet më të larta që jep Vatra. Këto çmime u dhanë për Prof.Nikolla Pano, z.Ekrem Bardha biznesmen dhe ish Botues i gazetës “Illyria”, z.Harry Bajraktari biznesmen, veprimtar i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës “Illyria”.
Në këtë darkë solemne përshëndeti Ambasadore Teuta Sahatqija, Konsulle e Përjgithshme e Kosovës në New York në emër të Kryeministrit të Kosovës z.Ramush Haradinaj duke i uruar vatranët që gazeta Dielli të rrojë në përjetësi.
Darkën e nderonte me pjesëmarrjen e tij Dr.Halim Kosova gjinekolog i mirënjohur në Tiranë dhe politikan i djathtë, ish kandidat nga Partia Demokratike për Bashkinë e Tiranës. Dr.Kosova përshëndeti dhe përgëzoi të gjithë vatranët për përkushtimin e tyre si dhe gjithë editorët e Diellit që vazhdojnë ta mbajnë të ndritshme gazetën “Dielli”.
Z.Mark Gjonaj ish Ansambleist i Shtetit të Nju Jorkut dhe anëtar i Këshillit të Bashkisë së Nju Jorkut nderoi me proklamatë mirënjohjeje nga Këshilli i Bashkise së Nju Jorkut z.Dalip Greca editor të Gazetës “Dielli” për punën e tij të jashtëzakonshme në shërbim të gazetës “Dielli” gazetë që i shërben Diasporës dhe Kombit.
Me shumë interes dhe emocion u mirëprit dhurata e sjellë nga Ati Spiridon i Kishës “Shën Gjergji” në Boston dhuratë e vyer që përmbante një cikël të gazetes “Dielli” që i mungonte arshivit të Vatrës këtu në New York.
Në prag të 110 Vjetorit të gazetës “Dielli” u shpall dhe një konkurs për krijimtarinë më të mirë si esse, fotot më të mira, dokumente, reportazhe, libra studimor etj. që kishin lidhje me këtë përvjetor. Juria me kryetar z.Dalip Greca vlerësoi me çmime këa personalitete dhe krijues si: Ambasadorin Mal Berisha, znj.Neka Doko, z.Sinan kamberaj, z.Rafael Floqi, znj.Erenstina Halili, z.Fotaq Andrea, znj.Lindita Komani, znj. Megi Përmeti, z.Anton Çefa, z.Andon Andoni, znj.Entela Komnini, z.Nikolin Kurti, Z.Roland Qafoku si dhe z.Thanas Gjika.
U sollën poezi dhe humor nga dy kolosët e kulturës Fan Stelian Noli dhe Faik Konica interpretuar nga artisti i shquar Frederik Ndoci
Pjesëmarrësit u argëtuan nga artistët e njohur të komunitetit si Frederik Ndoci, Gezim Nika, Arbërie Hadërgjonaj, Valbona Peraj, Haxhi Dauti, Agim Krasniqi.
Ishte një e shtunë me diell të ngrohtë dhe të shndritshëm si vetë emri që mban gazeta “Dielli” të cilës i festuam me madhështi ditëlindjen e 110-të të saj.
Së shpejti TV “Alba Life” do transmetojë kronikën e përgatitur për 110-të Vjetorin e Diellit organizuar nga kryesia e Federatës Pan-shqiptare “Vatra”.
6 Prill, 2019
Manhattan, New York