
-Në veprimtarinë e përkujtimit të 70 vjetorit të Mid’hat Frashërit dhe analizës vjetore të punës të degës së Queensit në New York të drejtuar nga Dr. Skënder Murtezani, mori pjesë edhe kryetari i Vatrës, Dritan Mishto-

– Dr. Murtezani i tha gazetës Dielli se në të ardhmen veprimtaritë kushtuar kolosit të shqiptarizmës Mid’hat Bej Frashërit do të organizohen çdo 5 vjet.

Queens, NY, 26 tetor 2019- Dega e Vatrës në Queens-NY, që drejtohet nga dr. Skënder Murtezani, u mblodh të shtunën në mbrëmje, 26 tetor 2019, në Dauglaston, në auditorin e Immaculate Conception Center. Krahas anëtarëve të kësaj dege mori pjesë edhe kryetari i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës”VATRA” Dritan Mishto, i shoqëruar nga anëtari i kryesisë Zef Balaj dhe editori i Diellit.

Takimin e ka hapur kryetari i degës Dr. Skender Murtezani, i cili ka ftuar të pranishmit për t’u ngritë në këmbë dhe për të përcjellë Hymnet Kombëtare. Më pas ai ka ftuar kryetarin e Vatrës, Dritan Mishto, për të mbajtë fjalën përshëndetse. Z. Mishto ka përgëzuar degën dhe kryetarin e saj dr. Murtezani për përpjkjet në vazhdimësi për t’u organizuar dhe prë të zhvilluar aktivitete kombëtare. Kryetari i Vatrës, tha se nderimi që i bëhet Mid’hat Frashërit në 70 vjetorin e vdekjes nga dega e Queensit, nuk është rastësi, për çdo vit kjo degë e ka nderuar veprën dhe jetën e Mid’hat Frashërit me veprimtari përkujtimore, studimore, me seminare e konferenca etj.Kryetari i Vatrës e ka përgëzuar degën edhe për veprimtaritë e tjera dhe shpreson se së shpejti ajo do t’i ketë kryer edhe detyrimet e anëtarësisë dhe do të përgatitet për Kuvendin e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës “VATRA” që pritet të bëhet pasi degët të kenë shlyer detyrimet e anëtarësisë dhe të kenë analizuar veprimtaritë e tyre.

Dr. Skënder Murtezani ka ftuar editorin e Diellit, Dalip Greca për të mbajtë kumtesën “Mid’hat Frashëri dhe VATRA”.

Editori solli fakte të paekspozuara deri më tani të nxjerra nga rekordet e Vatrës.Sipas editorit marrdhëniet e Vatrës me Mid’hat Frashërin duhen analizuar në tri kohë; ato të vitit 1918; kur M.Frashëri u ftua nga Kuvendi i Korrikut të 1918-ës që të vinte në SHBA dhe të merrte drejtimin e Vatrës, sipas propozimit që vinte nga Nju Jorku prej vatranit Qemal Veseli dhe mbështetjen e vatranit Dhori Tsako e Muke Përmeti,nga degët e Merilandit. Ftesa bëhej me qëllim që Mid’hat Frashëri të pranonte kërkesën e kuvendit të Vatrës për të marrë kryesimin e saj. Mid’hat Frashëri ftohej si intelektual, që i përkiste elitës së kohës dhe si i paanshëm në koloninë shqiptare të Amerikës, duke qenë se nuk kishte pasë kontakte më parë me shqiptarët e Amerikës, ç’ka do të ndikonte në pajtimin mes Partisë Politike të Kristo Dakos dhe Vatrës. Mid’hat Frashëri nuk mundi të vinte për shkak të Luftës, por ai pranoi kredencialet e Vatrës për të vepruar si delegate i saj në Zvicër.

Pikëtakimi i dytë i Vatrës me Mid’hat Frashërin ishte Huaja Kombëtare, që organizoi Vatra për të ndihmuar Qeverinë e Sulejman Delvinës, ndërkohë që Mid’hat Beu ishte i dërguari i posaçëm, i paracaktuar prej Vatrës dhe i miratuar nga Qeveria. Kjo periudhë i takon fillimshtatorit 1920 deri në nëntor 1920, edhe pse Vatra e vazhdoi fushatën edhe përgjatë vitit 1921.Ky bashkëpunim qe i shkëlqyer…

Në kumtesën e editorit u sollën detaje se si u organizua fushata, pjesmarrja e Mid’hat Frashërit në mbledhejn e Komisionit të Vatrës të 8 shtatorit 1920, organizimi i mitingut të 13 shtatorit në Boston, e deri tek darka që u shtrua për nder të dërguarit të posaçëm të qeverisë, duke e përcjellë atë drejt Parisit.

Koha e tretë e marrdhënieve të Vatrës me Mid’hat bej Frashërin, që i përkasin periudhës të pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ishin të këndshme.Vatra nuk e pranoi rolin e Mid’hat Frashërit në krye të Komitetit Shqipëria e Lirë, ashtu siç nuk kishte pranuar rolin e tij gjatë luftës, duke u vënë në krye të Ballit Kombëtar. Jo vetëm kaq, por e gjithë veprimtaria e tij pas vitit 1926 u vu në pikëpyetja nga Vatra dhe Dielli.Edhe në përcjelljen me rastin vdekjes së papritur në Nju Jork, editori i athershëm i Diellit, Qerim Panariti,ia numëroi të këqiat dhe vdekjen e quajti si një ndëshkim të Zotit për “tradhëtinë” e Mid’hat Frashërit që turpëroi babanë e tij Abdyl Frashëri, udhëheqësin e Lidhjes së Prizrenit….

Studentja Enejda Karaj, që e mori fjalën më pas, solli të dhëna biografike për Mid’hat Frashërin, duke u ndalur në origjinën e tij, fëmijërinë, rininë. Ishte bir Abdyl Frashërit dhe nip i Naim dhe Sami Frashërit, më pas ajo foli për shkollimin e tij, veprimtarinë në Selanik,si pjestar i Klubit të Selaniku, ku drejtoi edhe gazetën “Liria” , në Manastir, ku ishte bashkëkryetar i Kongresit të Alfabetit, në Vlorë, ku shërbeu pak kohë si Ministër në qeverinë e Ismail Qemalit, ishte i pari minsitër që u dorëhoq për motive patriotike etj…
Studentja Sea Novaku përcolli kumtesën e shkrimtarit Naum Prifti rreth veprimtarisë letrare të Mid’hat Frashërit.Citojmë nga kumtesa: Sikur të hartohej një listë e bibliografëve shqiptarë, jam i sigurt se vendin e parë, dua të them vendin e nderit do ta zinte Mid’hat Bej Frashëri, jo vetëm nga lashtësia e viteve kur e filloi atë veprimtari, por edhe nga cilësia e librave dhe nga sasia jashtëzakonisht e madhe e tyre. Dihet se ai kishte më se 40.000 vëllime të ndryshme në gjuhë të ndryshme. Ky qe pasioni i tij më i madh, të cilin e ndoqi me përkushtim gjatë gjithë jetës së tij. Bir i një familje intelektuale nga më të shquarat, djali i atdhetarit të dëgjuar të Rilindjes Kombëtare Abdyl Frashëri,i edukuar qysh në vegjëli me frymën e atdhe dashurisë, ai ia kushtoi gjithë jetën lirisë së atdheut dhe përparimit të vendit që të vihej në një radhë me kombet e tjera të Ballkanit dhe Europës. Ai u aktivizua në jetën politike shqiptare qysh në moshë të re, pra qysh në fillim të shekullit XIX kur qe njëzet vjeçar dhe e vazhdoi pa ndërprerje deri në fund të jetës së tij. Qe një nga veprimtarët e parë të Klubit të njohur të Selenikut dhe më pas bëhet nismëtar për botimin e gazetës “Liria” po në Selenik, titull simbolik për gjëndjen e Shqipërisë, në atë kohër kur ende s’e kishim fituar pavarësinë.
Dr. Erion Bardhi u ndal në veprimtarinë diplomatike të Mid’hat Frashërit, ndër të tjera ai tha se: Mid’hat Frashëri ishte nje diplomat i persosur , ai kishte prirje të dëgjonte, të kuptonte, të dashuronte çdo mendim, çdo ide e iniciativë për të mirën e Shqipërisë. Kolosi ynë shpenzoi çdo sekond’ të jetës së tij për Shqiptarinë. Ishte njeri i pajtimit, i dialogut, i mirëkuptimit ndërshqiptar.
Në kumtesën e tij dr. Skëndër Murtezani u ndal në rëndësinë e Mid’hat Frashërit për prezantimin e pasurisë kulturore dhe qytetare shqiptare ndër shekuj.
Ligjërusi
tregoi shkaqet përse Mid’hat Frashëri u hoq mënjanë dhe u mor me librin dhe
edukimin.Në fillim të vitit 1925 ashpërsimi i politikës në Shqipëri me siguri
se nuk kishte forcë të bëj ndonjë ndryshim gjatë procesit të humbjes së dy të
tretave të teritorit vendos që të hiqet mënjanë nga Politika dhe t’i
përkushtohet tërsisht librit dhe edukimit të rinisë, tha dr. Murtezani. Me këtë
ndryshim Midhati plotëson një zbrazëtirë të madhe dhe të domosdoshme të
egzistimit të kombit, edukimi dhe qytetrimit që do të ngrente nivelin e
vetëdijes kombëtare dhe harmonisë ndërfetare. Libraria e Lumo Skëndos u bë një
vatër kulture, ku mblidhej inteligjencia dhe rinia e kohës.Libraria e tij
numëronte më shumë se 40 mijë libra dhe ishte e hapur për publikun.
Mid’hat Frashëri ishte një “Inxhinjer i shkëlqyeshëm i ndërtimit të urave”. Më
e bukura urë, që ja dhuroi kulturës Shqiptare ishte ajo që lidh shekujt dhe
dokumenton vazhdimsinë e qytetrimit shqiptar prej nga Marin Barlettit
deri në kohën e tij. Sa urë e
rëndësishme Mid’hati I dha dritë qytetrimit tonë.Me pas ai ka gjurmuar
veprimtarine dhe ekspeditat kulturore qe ndermori Mid’hat Frash Veprimtaria e
Mithat Frasherit na la aq shume njohuri me vlere enciklopedika dhe tani të
gjithë e dimë nga e kishte kete prirje, po na ka nxjer perpara nje det’ të
pafund per hulumtime ne te ardhmen. Ai veproi si nje institucion jo si individ.
Më pas dr. Murtezani bëri një prezantim në Power Point të çasteve kryesore të jetës së Mid’hat Frashërit dhe veprave që ai la. Dr. Murtezani i tha gazetës Dielli se në të ardhmen veprimtaritë kushtuar kolosit të shqiptarizmës Mid’hat Bej Frashërit do të organizohen çdo 5 vjet.
Veprimtaria do të finalizohej me analizën e veprimatrive të degës., ndërkohë që në mbyllje u organizua një darkë-buffet.(Për më shumë do të lexoni në Diellin ne print, me shume fotografi shihni ne Facebook)