

NGA DALIP GRECA/

Në simpoziumin kushtuar At Gjergj Fishtës, organizuar prej Shoqatës Skënderbej INC dhe Kishës Zoja e Shkodrës, të shtunën, 2 nëntor 2019, në qendrën Kulturore”Nënë Tereza” ekspozova dy momente që e lidhin Federatën Pan Shqiptare të Amerikës “VATRA” me At Gjergj Fishtën. Momenti i parë i takon vizitës së At Gjergj Fishtës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në axhendën e ngjeshur të ish nënkryetarit të Parlamentit të Shqipërisë, At Fishtës, nuk mund të anashkalohej Vatra, e cila deri në vitet ’20 të shekullit të shkuar ishte identifikuar me shtetin shqiptar, thënë më shqip, luante rolin e shtetit të munguar shqiptar:Kishte organizuar dy fushata të mëdha, atë 3 qershorit 1917, ku u mblodhën 150 mijë dollar, që shërbyen për organizimin e lobimit të Shqipërisë në Europë dhe në SHBA. 3 vjet më vonë një tjetër fushatë u organizua nga Vatra në ndihmë të shtetit shqiptar, Huaja Kombëtare, kur Vatra mblodhi 198 mijë dollar dhe ia dërgoi qeverisë së Sulejman Delvinës. Në mes të këtyre dy aksioneve kombëtare, qëndron takimi historik i Fan S. Nolit me Presidentin Wilson, me 4 korrik 1918, ku u mor premtimi prej presidentit amerikan se vota dhe fjala e tij do të ishin në mbrojtje të kombeve të vegjël, si Shqipëria.Fotografia e atij takimi dhe letrat e Nolit për atë takim historik ndodhen në arkivin e Vatrës.
Në shkurt 1920 Vatra kishte dërguar në Shqipëri, Trupat Vullnetare që ishin sëtrvitur prej 4 vitesh në Boston, të cilat shërbyen për stabilizimin e kufijëve jugorë të Shqipërisë të shkelura nga invazionet e grekëve. Bashkë me 200 trupat e Vatrës ishte dërguar edhe Banda Muzikore e Vatrës, që nuk u kthye më në SHBA(me përjashtim të dirigjentit të saj Thoma Nasi); shërbeu si Bandë Muzikore e Shtetit Shqiptar deri në fillim vitet ’30, ndërkohë që edhe Trupat Vullnetare nuk u kthye më nv SHBA, por u transformua në Gardë Kombëtare e Shqipërisë.
Pra këto ngjarje i kishin paraprirë vizitës së At Gjergj Fishtës në SHBA. Vatra aso kohe ishte në qendër të opinionit shqiptar dhe vlerësohej si avokatja dhe shpëtimtarja e Kombit Shqiptar. Dhe At Fishta nuk mund të largohej nga Amerika pa u takua me Vatrën. Ai u prit nga Kryetari i Vatrës Faik Konica. Është i njohur letërkëmbimi i Faik Konicës me At Fishtën. Siç e përmendi në simpoziumin kushtuar 148 vjetorit të Lindjes së Fishtës, gjatë kumtesës së tij gazetari Frank Shkreli: Faik Konica nga Bostoni, i shkruante Fishtës, ndër të tjera: “I Shkëlqyer mik, Ju falem nderit për letrën e bukur që më dërguat. Kini lënë ndër shqiptarët e këtushëm një kujtim lartësie dhe drite, që ka shuar gjithë moskputimet e shkuara”.
Po cilat ishin moskuptimet e shkuara? At Fishat në Parlament kishte dalë kundër vendimit të qeverisë për të paguar Bandën Muzikore të Vatrës nga buxheti i shtetit, kur ajo shkoi në Shqipëri.
Po le të kthehemi tek vizita e At Fishtës. Në Simpozium unë paraqita Vendimin e komisionit të Vatrës të 12 qershorit 1922. Vendimi mbanë firmën e kryetarit Faik Konica dhe sekretarit Kosta Isaak, por dhe anëtarëve të komisionit.
Miratimi është bërë në mbledhjen e 12 qershorit 1922, një takimin mujor, kur u mor edhe vendimi për Kuvendin vjetor të korrikut të atij viti. Në fund të vendimit janë firmat e Komisionit të Vatrës nën drejtimin e Kryetarit të saj Faik Konica, sekretarit Kosta Isaak, si dhe të anëtarëve: Kristaq Polena, Hasan Hysi, Xhevat Harxhi dhe George Prifti.
Nga rekordet që ndodhen në arkivine Vatrës, shkëpusim këtë fragment nga vendimi i Komisionit të Vatrës:
Komisioni vendosi të ndihmojë me $500.00 nëkryetarin e Parlamentit At Gjergj Fishta. Shuma do të ndahet kësisoj: $250.00 për Fushatën e Shkollave; $100.00 një dhuratë për Gjimnazin e françeskanëve në Shkodër(me këtë shumë u porosit një saksofon kushtuar gjymnazit të Shkodrës, ku u gdhend emri i Vatrës, si dhe $150.00 do të përdoreshin për harxhet personale dhe udhëtimin e At Gjergj Fishtës. Ky vendim u muar si shenjë e vogël e dëshirës që Vatra ushqen për elementët shkollore dhe në respekt të At Gjergj Fishtës.
Paraqita në këtë simpozium edhe një fakt tjetër: Nuk është hera e parë që vlerësohet vepra e At Fishtës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Iu referova Seminarit të Vatrës, organizua me rastin e 100 vjetorit të Lindjes së At Fishtës organizuar nga Federata Pan Shqiptare e Amerikës VATRA. Ky simpozium u organizua Hotel Waldorf Astoria, New York me 23 Prill 1972.
Ekspozova aty Ftesën e atij seminari, që ma pat dhuruar Tonin Mirakaj, pjesmarrës në atë seminar të vatrës, ku paten marrë pjesë më shumë se 200 persona. Në Krye të ftesës shkruheshin vargjet e Fishtës” Flamuri Kombëtar nuk ka shka ban nder ne,/ Po kje se dashuri nuk kemi per Atdhe’”…Seminari u hap nga nacionalisti Muharrem Babameto. Hymnet Kombëtare, American dhe Shqiptar, u kënduan nga Lume Juka. Seminari u përshëndet nga kryetari Theodhor Papalilo, i cili vlerësoi figurën e At Gjergj Fishtës dhe falenderoi ligjëruesi. Kryetari i Vatrës Gregory Chiriako ka përshëndetur seminarin dhe ka vlerësuar përmasat e figurës kombëtare të Fishëts. Folësi i parë, që mbajti kumtesën kryesore mbi jetën dhe veprën e At Gjergj Fishtës ishte Prof. Rexhep Krasniqi. Një kumtesë të veçantë mbajti Fehime Pipa. Ndër folësit e Seminarit ishin edhe: Profesor Dilaver Berberi, Dr. Feizi Domi, më pas u interpretuan vargje nga vepra e Fishtës.
Seminari është mbyllur me Hymnin e Flamurit ët At Gjergj Fishtës të kënduar nga Lume Juka.
Diaspora shqiptare e Amerikës e ka për detyrë që të sjellë në kujtesë veprimtaritë e paraardhësve të saj.